Rrëzohet kërkesa e Thaçit për ndryshimin e protokollit të kontaktit për disa dëshmitarë në të dy rastet e tij
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë marrë vendim, me të cilin është refuzuar kërkesa e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, për ndryshime të protokollit të kontaktit, në mënyrë që ai të mos zbatohet më për disa dëshmitarë të Prokurorisë, të cilët janë dëshmitarë në rastin për krime lufte e po ashtu edhe në atë kundër administrimit të drejtësisë.Mbrojtja e Thaçit ka pretenduar se protokolli i kontaktit në rastin për krime lufte është shumë më i rreptë se ai në rastin kundër administrimit të drejtësisë, pasi kërkon njoftim paraprak 10-ditor për çdo dëshmitar, pëlqim të informuar nga dëshmitari, video-incizim të kontakteve dhe ndarjen e regjistrimeve me palët e tjera dhe trupin gjykues.
Veç kësaj, mbrojtja pretendon se ekipe tjera mbrojtëse në rastin 12, e po ashtu edhe Prokuroria- kanë një kornizë kontakti më të butë, ndërsa ekipi i Thaçit ka një kornizë më të rreptë për shkak të rastit për krime lufte në lidhje me dëshmitarët e përbashkët.Në këtë linjë, mbrojtja argumenton se kjo krijon pabarazi të armëve midis ekipit të Thaçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë dhe palëve të tjera.
Si rrjedhojë, ata kanë kërkuar nga trupi gjykues që të ndryshojë protokollin e kontaktit në rastin për krime lufte, në mënyrë që kontaktet me dëshmitarët e përbashkët në rastin kundër administrimit të drejtësisë të zbatohen sipas kornizës për rastin e fundit.Kurse, trupi gjykues thotë se nuk është vërtetuar asnjë shkelje e parimit të barazisë së armëve.
“Trupi gjykues përfundon se nuk është vërtetuar asnjë shkelje e parimit të barazisë së armëve dhe çdo ndikim i mundshëm i ardhshëm negativ mbi aftësinë e Mbrojtjes Thaçi për të zhvilluar hetimet e saj është hipotetik dhe spekulativ në këtë fazë”, thuhet në vendim.Prokuroria e kishte kundërshtuar këtë kërkesë, pasi sipas tyre, edhe Apeli ka konstatuar se kjo kornizë nuk e ngarkon në mënyrë të tepruar mbrojtjen e Thaçit. Ngjashëm ka konstatuar edhe trupi gjykues në vendimin e tij.
“Trupi gjykues konsideron se fakti që ZPS-ja mund të jetë në gjendje të kontaktojë dëshmitarët që do të thirren nga ekipi i mbrojtjes së Thaçit në Rastin 12 jashtë parametrave të Protokollit të Kontaktit në Rastin 06, nuk ndikon në ato konstatime. Ajo që ka rëndësi është që të dyja Palët, në parim, i nënshtrohen të njëjtave kufizime dhe kushte lidhur me kontaktet e tyre me dëshmitarët e Rastit 06 nën Protokollin përkatës, në mënyrë që të ruhet barazia e armëve për aq sa ka të bëjë me këtë rast”, thuhet në vendim.Sipas Prokurorisë, mbrojtja e Thaçit ankohet për pabarazi të armëve, por ankesa e saj fokusohet kryesisht në pozitën e Thaçit krahasuar me bashkë të akuzuarit në Rastin 12.
Prokuroria thotë se trupi gjykues ka sqaruar se protokolli i kontaktit në Rastin 06 zbatohet për të gjithë dëshmitarët e atij rasti, ndërsa në Rastin 12 provat e ZPS-së janë kryesisht dokumentare, jo të bazuara në dëshmitë e dëshmitarëve të përbashkët.“ZPS-ja pohon se: (i) ekipi i Mbrojtjes Thaçi në Rastin 12 nuk është i penguar të zhvillojë hetimet e tij brenda parametrave të Protokollit të Kontaktit në Rastin 06; (ii) e drejta e Mbrojtjes së Thaçit për të intervistuar dëshmitarët e palës kundërshtare nuk është e pakufizuar; dhe (iii) në rrethanat e rastit, Ndryshimet e Kërkuara nuk janë as të përshtatshme dhe as të nevojshme”, thuhet në vendim./BetimipërDrejtësi