Paraburgim 6 persona dhe masa kujdesi për 15 të tjerë, shkak keqpërdorime në spital

Prokuroria e Prilepit ka kërkuar paraburgim për gjashtë persona dhe masa kujdesi për 15 të tjerë të arrestuar në lidhje me rastin e Spitalit të Përgjithshëm të Prilepit.

“Prokuroria Themelore Publike e Prilepit ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prilepit propozime për paraburgimin e gjashtë personave, për 15 masa kujdesi dhe për gjashtë deri në shtatë persona juridikë nga Prilepi, Manastiri dhe Shkupi, si dhe propozim për ndalesë nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimeve publike,” tha Jasmina Shishkovska, kryetare e Gjykatës Themelore në Prilep.

Personat e arrestuar pritet të dorëzohen gjatë ditës në Gjykatën e Prilepit. Më shumë se 10 persona u arrestuan mbrëmë dhe sot nga policia e Prilepit gjatë një aksioni të Drejtorisë së Policisë Financiare, e cila ndërmori bastisje në disa lokacione në kuadër të hetimeve për keqpërdorime financiare në spital.

Sipas Prokurorisë, që nga prilli i këtij viti zhvillohet një procedurë parahetimore për shkak të dyshimeve për veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” lidhur me operacionet financiare të spitalit. Drejtori aktual i Spitalit të Përgjithshëm të Prilepit, Borka Taleski, ka deklaruar vitin e kaluar se pas marrjes së detyrës ka vërejtur parregullsi financiare dhe se institucionit i është trashëguar një borxh prej rreth 193 milionë denarësh.