Aksion i madh i Policisë Financiare në Prilep: 27 të arrestuar për keqpërdorime në spitalin e qytetit
Sipas urdhrit dhe udhëzimeve të Prokurorisë Themelore Publike (PTH) Prilep, në spitalin e Prilepit po vepron Drejtoria për polici financiare. Nga Prokuroria njoftuan se po ndërmerren veprime në lidhje me një procedurë për pretendime kundër disa personave për keqpërdorime në punën e spitalit. Veprimet po ndërmerren për momentin, ndërsa më shumë detaje do të jepen nesër.
Radio Pella, duke u thirrur në informacione jozyrtare, publikoi se janë ndaluar 27 persona të lidhur me dyshime për krim të kryer me tenderë në funksionimin e Spitalit. Hetimi është i drejtuar edhe ndaj personave udhëheqës, dhe dyshimet janë se janë kryer keqpërdorime me prokurime publike në vlerë prej 800.000 eurosh.
Në prill të këtij viti, PTH Prilep njoftoi se po vepron në një procedurë parahetimore për shkak të dyshimeve për veprën penale Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar, në lidhje me funksionimin financiar të spitalit. Atëherë u krye kontroll në tetë lokacione, dhe veprimet po ashtu i ndërmerrte Drejtoria për polici financiare.
Kire Jonoski, i cili u emërua drejtor i spitalit në verën e vitit 2024, në disa raste ka deklaruar se kur e mori detyrën menaxhuese, vërejti parregullsi të mëdha në punën financiare. Ai atëherë deklaroi se spitalin e kishin trashëguar nga udhëheqja e mëparshme në një gjendje katastrofale me borxh dhe obligime të mëdha prej pothuajse 193 milionë denarësh (mbi 3 milionë euro), njofton TS.
Jonoski akuzoi se, ndër të tjera, ishin shpenzuar para për telefona të shtrenjtë, konkretisht për modelet më të reja të iPhone, për 73 numra mobilë që nuk ishin të regjistruar në kontabilitet. Për vitin 2024 deri në gusht ishin shpenzuar më shumë se 6 milionë denarë (mbi 97.000 euro) me pagesa në para të gatshme direkt nga arka për disa persona fiktivë. Për shembull, për kositje bari pa kontratë dhe pa taksë të paguar. Organizoheshin ditëlindje në lodrishte dhe paguheshin nga arka.
“Gjetëm shuma të mëdha për shërbime restorantesh, përfaqësime, të faturuara nga disa restorante të Prilepit, të regjistruara në konton e kuzhinës, ku supozohet se shkon ushqimi për pacientët. Haheshin pica, pastrmajlija, pihej viski dhe verë. Paguheshin avanse të mëdha për kompani për shërbime dytësore, për edukim të infermierëve, ndërsa asnjë infermiere në spital nuk kishte dijeni për këtë. Me një fjalë, spitali ishte bërë një firmë për gjithçka”, tha Jonoski./TS