PDK në udhëkryq: Humbje, pakënaqësi dhe thirrje për dorëheqje

Humbja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Drenas, një prej bastioneve historike të saj, ka shkaktuar tronditje të madhe brenda partisë. Pas rezultateve, janë shtuar pakënaqësitë dhe përplasjet në strukturat e brendshme.

Deputeti Nait Hasani ka dalë hapur në mbështetje të Ramiz Lladrovcit dhe ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit Memli Krasniqi, duke e konsideruar këtë humbje si pasojë të drejtimit të gabuar të partisë.

Analisti Albinot Maloku tha për Bota sot se “çështja Lladrovci nuk është tregues i vetëm i pakënaqësisë në PDK”, duke shtuar se partia ka nevojë për reflektim të thellë dhe zgjedhje të reja të brendshme. “Letargjia, mungesa e debatit dhe humbja e energjisë mobilizuese duhet të alarmojnë strukturat e saj”, theksoi Maloku.

Ndërkaq, opinionisti Gani Mehmeti vlerësoi se përçarjet në PDK janë pasojë e interesave të ngushta dhe injorimit të figurave të forta si Lladrovci. “Ramizi nuk u dorëzua, formoi grupin e tij dhe fitoi. Kjo tregon karakter të fortë”, tha ai. Megjithatë, Mehmeti shtoi se “ndryshime në kryesi janë të vështira, pasi shumica janë ende të lidhur me Memli Krasniqin”.

Situata në PDK shihet si fillimi i një krize më të thellë, që mund të çojë drejt riformatimit të partisë.