Këtë fitore e kemi ndërtuar hap pas hapi. Jo me premtime, por me punë. Jo me spektakle, por me këmbëngulje. Prandaj kjo fitore nuk është vetëm e jonë. Është e të gjithë atyre që besojnë se shteti duhet të ecë përpara, se komunat duhet të zhvillohen, tha kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke shpallur fitore absolute me 30 kryetarë komunash në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, tha se mbrëmjen e sotme partia nuk do të festojë, por do të premtojë.
“Premtojmë se do të punojmë edhe më shumë, se çdo votë do ta kthejmë në vepër, çdo shpresë në rezultat. Premtojmë se këtë shifër nuk do ta ndryshojmë me numra, por me vepra të bëra, sepse fitorja e vërtetë do të jetë kur çdo njeri të thotë: ‘Po, ia vlejti’”, tha Mickoski, njofton TS.
Ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive në raundin e dytë dhe tha se çdo votë që mbetet në shtëpi është dhuratë për ata që, siç tha, kanë shkatërruar Maqedoninë.
“Teza se ka pasur parregullsi nuk qëndron dhe është e cekët. Kemi pasur zgjedhjet më demokratike deri tani, dhe çdo gjë tjetër është alibi dhe përpjekje e shpejtë për të justifikuar rezultatin e dobët të opozitës. Të dashur miq, kemi fitore në mbi 30 komuna që në raundin e parë,” tha Mickoski./TS