Emir Sulejmani falënderon qytetarët e Zhelinës: “4576 vota – një forcë e madhe morale për ndryshim”

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për komunën e Zhelinës, Emir Sulejmani, ka reaguar pas mbylljes së procesit zgjedhor duke falënderuar të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen dhe besimin e dhënë.

“Faleminderit, Zhelinë! Nga zemra, faleminderit për çdo qytetar që doli dhe votoi me besim e dinjitet, si ata që më mbështetën, ashtu edhe ata që zgjodhën ndryshe. Garën e mbyllëm me krenari, shpirt të pastër dhe dashuri për vendin tonë,” shkroi Sulejmani në një postim në rrjetet sociale, njofton TS.

Ai theksoi se 4576 vota janë një “forcë e madhe morale” dhe dëshmi se Zhelina kërkon ndryshim, transparencë dhe zhvillim. Kandidati i AKI-së uroi kundërkandidatin për fitoren, duke i dëshiruar sukses në shërbim të qytetarëve.

Sulejmani falënderoi veçanërisht aktivistët, gratë, të rinjtë, familjet dhe mërgatën, për mbështetjen e treguar gjatë gjithë fushatës, të cilën e përshkroi si një “lëvizje shprese”.

“Zhelina ka nevojë për bashkim, punë të ndershme dhe përgjegjësi,” theksoi ai në përmbyllje të mesazhit të tij./TS