Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë reagon ndaj deklaratave të MPJ të Serbisë: Historia nuk rishkruhet me retorikë
Shqipëria i ka reaguar Serbisë për deklaratën e Ministrisë së Jashtme serbe në të cilën duke iu përgjigjur presidentes së Kosovës Vjosa Osmanit, përmendte edhe Shqipërinë duke rikthyer në vëmendje raportin e Dick Marty-t. Ministria për Evropën e Shqipëri këto pretendime i quan të pabaza.
Shqipëria i kujton Serbisë disa të vërteta historike, që lidhen me shkaktarët e vërtetë të ngjarjeve tragjike të vitit 1999, ngjarje që sollën vrasje, spastrime etnike dhe dëbimin me forcë të rreth një milion shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre.
“Është për të ardhur keq që deklarata e Ministrisë së Jashtme të Serbisë mbështetet ende mbi një Raport tashmë të diskredituar të Dik Martit, kur faktet e hetuara nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare kanë dëshmuar qartë se pretendimet e ngritura aty janë një fabrikim i pastër, pa asnjë provë faktike. Këto të pavërteta, të njohura ndërkombëtarisht si përpjekje për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të përdoren më për t’iu shmangur përgjegjësisë së historisë. Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare.