Aktivistja e njohur suedeze për klimën, Greta Thunberg, mbërriti mbrëmë në Greqi, ku u prit me ovacione nga mbështetës dhe aktivistë. Ajo, së bashku me qindra persona të tjerë, ishte arrestuar në det të hapur dhe dëbuar nga Izraeli për shkak të përpjekjes për të dërguar ndihma humanitare në Rripin e Gazës.
Sipas autoriteteve izraelite, janë dëbuar gjithsej 171 aktivistë, përfshirë Thunberg, duke e çuar numrin total të deportuarve në 341 nga 479 të arrestuarit. Flotila e aktivistëve kishte tentuar të thyejë bllokadën detare dhe të shpërndante ndihma për popullsinë e Gazës.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Greqisë, 161 aktivistë kanë arritur në Athinë, mes tyre 27 grekë dhe qytetarë nga mbi njëzet vende të tjera.
Para qytetarëve të mbledhur në Athinë, Thunberg deklaroi:
“Dua të jem shumë e qartë – atje po ndodh një gjenocid. Sistemet tona ndërkombëtare po i tradhtojnë palestinezët dhe nuk janë në gjendje të ndalojnë krimet më të rënda.”
Ajo shtoi se qëllimi i flotilës ishte të vepronte aty ku qeveritë kanë dështuar të përmbushin detyrimet e tyre ligjore.
Ndërkohë, Izraeli mohon akuzat për gjenocid, duke e cilësuar veprimin e aktivistëve si një fushatë mediatike në favor të Hamasit.
Nga Ministria e Jashtme e Izraelit thanë se të gjitha të drejtat ligjore të pjesëmarrësve janë respektuar dhe se i vetmi incident ka qenë kur një aktivist ka kafshuar një mjeke në burgun Keciot.
Megjithatë, disa aktivistë zviceranë dhe spanjollë kanë pohuar se janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore, pa gjumë, pa ushqim dhe pa ujë, madje edhe të dhunuar fizikisht – pretendime që Izraeli i ka hedhur poshtë kategorikisht.