E përmendi Adnan Azizi, reagon familjarja e Almirit: Dikujt zemra i digjet, e sidomos kur ti me aq lehtësi ia përmend emrin
Pas deklaratës së deputetit dhe shefit të Shtabit të koalicionit VLEN, Adnan Azizi, i cili në një tubim iu drejtua liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, me fjalët “A kishe gjak shqiptari kur u vra Almir Aliu?”, ka reaguar ashpër halla e të ndjerit, Resmije Aliu, shkruan gazeta KOHA.
Në reagimin e saj publik, Resmije Aliu shprehet se dhimbja e familjes së Almirit po keqpërdoret çdo fushatë për qëllime politike:
“Zotëri, Almiri nuk është kurban as i juaji e as i askujt (politikan). Ku gjithë këto vite e përdorni vetëm për fushata zgjedhore. Dikujt zemra i digjet, e sidomos kur ti me aq lehtësi ia përmend emrin”, shkruan ajo
Deklarata e Resmije Aliut ka ardhur pasi Adnan Azizi, në një fjalim publik, kishte përmendur një sërë ngjarjesh tragjike, duke akuzuar Ali Ahmetin për heshtje ndaj tyre.
“Ali Ahmeti, a kishe gjak shqiptari kur ndodhën rastet e montuara? A kishe gjak shqiptari kur u vra Almir Aliu në Kumanovë? A kishe gjak shqiptar kur ndodhi Brodeci? Pse qëndrove 10 vite në ‘prehër’ të Gruevskit?”, deklaroi Azizi.
Kjo nuk është hera e parë që fjalimet e Adnan Azizit nxisin reagime të ashpra.
Vetëm disa ditë më parë, vajza e Komandant Strugës reagoi ndaj tij, pasi Azizi akuzoi publikisht se “Ali Ahmeti është vrasësi i Nuri Mazarit”, deklaratë që u cilësua e pavërtetë dhe e papranueshme nga familja e Komandanti të UÇK-së.
Reagimet e njëpasnjëshme tregojnë se përdorimi i ngjarjeve tragjike në diskursin politik po ngjall zemërim dhe revoltë në opinionin publik, veçanërisht në mesin e familjeve të viktimave që kërkojnë respekt dhe moskeqpërdorim të emrave të të dashurve të tyre për qëllime elektorale. (koha.mk)