Rama tallet me gafën e Trump: I dha fund luftës mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, u lodh shumë..

Një episod humoristik është regjistruar sot përpara mbledhjes së Komitetit Politik Evropian, ku kryeministri Edi Rama, presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev po qëndronin së bashku.
Me të qeshura, Rama iu drejtua Macron-it duke i kërkuar që t’u kërkonte falje atij dhe Aliyev-it, pasi – sipas tij – nuk i kishte uruar për përfundimin e “luftës mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit”. Rama nënvizoi me humor se për këtë marrëveshje kishte punuar shumë edhe presidenti amerikan Donald Trump, duke iu referuar lapsuseve të njohura të tij, ku disa herë ka ngatërruar Shqipërinë me Armeninë në deklarata publike.

Dialogu i shkurtër solli të qeshura mes të pranishmëve:
Rama: “Duhet të kërkosh falje!”
Macron: “Pse?”
Rama: “Sepse nuk na përgëzuat kur arritëm marrëveshjen e paqes. Presidenti Trump punoi shumë për këtë!”
Macron: “Atëherë, më vjen keq!”
Rama: “Ai punoi shumë, shumë. Kishim 500 vjet konflikt!”

Pas shakave, Macron e preku Ramën lehtë në faqe, duke e bërë momentin edhe më gazmor.