VLEN dhe Azizi duhet të kuptojnë: UÇK-ja nuk është fushatë!

Nga Ermal Peçi

Mund të garosh për pushtet. Mund të kritikosh kundërshtarin. Madje mund të jesh i ashpër, i pakompromis, opozitar me çdo qelizë tënden. Por një vijë nuk duhet kaluar kurrë: lufta e shqiptarëve nuk është monedhë për vota.

Pikërisht këtu po rrëshqet koalicioni VLEN, dhe posaçërisht Adnan Azizi, kur përpjekjen politike për të fituar zgjedhjet e 19 tetorit po e mbështesin mbi një narrativë të rrezikshme: njollosjen e luftës së UÇK-së dhe akuzat pa fakte ndaj komandantëve të saj.

Deklaratat e fundit të Azizit, të bëra në një miting elektoral, ku ai la të kuptohet se brenda UÇK-së “shqiptarët kanë eliminuar njëri-tjetrin”, nuk janë më fjalë në ajër. Janë precedentë politikë, të cilët – siç na mësoi përvoja me gjykatat ndërkombëtare – mund të përdoren nesër kundër vetë luftës çlirimtare të shqiptarëve.

Dëshmitë politike janë përdorur si prova në Hagë. E tregoi Kosova. Këtë rrezik shumëkush në Shkup e Prishtinë e ka kuptuar – por në VLEN, ose nuk e kuptojnë, ose zgjedhin ta injorojnë.

Nuk mund të bësh politikë mbi varret e dëshmorëve. As mbi ngjarje që kanë ende shumë dritë-hije dhe ku edhe agjenturat e huaja kanë pasur dorën e tyre të zezë.

Emrat si Komandant Teli, Harun Aliu, Shaban Zenuni, Xhafa, Mazari janë plagë ende të hapura për shumë familje shqiptare. Ata nuk janë kartë politike, as figurë retorike për t’u përdorur në debate televizive apo konferenca shtypi. Ata janë pjesë e një kapitulli të përgjakshëm, por krenar të historisë sonë.

Nëse ka përgjegjësi për atë që ka ndodhur pas luftës, ato duhen trajtuar institucionalisht dhe me seriozitetin që kërkon drejtësia – jo me deklarata ad hoc për interesa elektorale.

Ali Ahmeti është një figurë komplekse për faktorin shqiptar – për atë çfarë ka përfaqësuar para dhe pas luftës. BDI dhe vetë Ahmeti mund e duhet të kritikohen: për dështimet në qeverisje, për klientelizmin, për mbylljen brenda vetes, për korrupsionin apo mungesën e reformimit të elitës politike.

Por një gjë është të kritikosh BDI-në si parti, dhe tjetër gjë të sulmosh moralin e luftës, atë luftë që i dha shqiptarëve të Maqedonisë vend në Kushtetutë, gjuhën në administratë dhe simbolet në institucionet shtetërore.

Këto nuk janë arritje të Ali Ahmetit si politikan, janë pasojë direkte e rezistencës së armatosur të vitit 2001. Dhe kjo luftë nuk ka nevojë për glorifikim, por për mbrojtje nga përdhosja.

Shqiptarët kanë të drejtë të pyesin:
Kush ishin zagarët që e vranë Telin?
Kush lejoi montimet si Sopoti, Monstra, Alfa, Brodeci, Lagjja e Trimave?
Kush e la të lirë vrasësin e vogëlushit Almir?
Kush i dorëzoi aksionet bankare në duar serbe?
Kush lejoi Akademinë e Shkencave të na quajë njerëz me bisht?

Këto janë plagë dhe padrejtësi reale, që kërkojnë përgjigje të sinqerta dhe drejtësi të vonuar, jo përdorim të tyre për të fituar vota duke goditur identitetin dhe historinë tonë.

Kurrë nuk kam përtypur të bëhet politikë me luftën. Sepse historia do të vijë – dhe do të na gjykojë.

Asnjëherë s’më kanë pëlqyer sulmet që njollosin UÇK-në. As kur ndodhin në Kosovë, as tani që po ndodhin në Maqedoninë e Veriut.

Lufta nuk është parti politike. Lufta është ndjenjë kolektive. Është sakrificë. Është gjaku i atyre që s’janë më dhe vuajtja e atyre që mbetën gjallë.

Ata që tentojnë ta përdorin si armë politike, rrezikojnë jo vetëm ta relativizojnë, por ta kriminalizojnë. Dhe kur lufta kriminalizohet nga vetë shqiptarët, atëherë Serbia nuk ka më punë për të bërë në OKB – ne ia bëjmë vetë punën.

Shqiptarët i njohin mirë zagarët. S’ka nevojë që t’ua tregojë Adnani në një miting me synim elektoral.

Ata kanë sy. Kanë zemër. Kanë kujtesë. Janë tradhtuar mjaftueshëm për të nuhatur kur dikush po përdor historinë e tyre për interes personal.

19 tetori nuk është vetëm datë zgjedhjesh – është një test.
A jemi ne si shqiptarë të pjekur për të zgjedhur mes partive, pa sharë luftën tonë?

Le të ketë garë. Le të ketë debat. Por një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë:
Lufta nuk është temë për marketing politik.
Është themeli i historisë sonë – dhe ai që ia vë flakën për ca vota më shumë, rrezikon të digjet vetë.

Një thirrje që vjen nga Tirana, nga një djal që e do atdheun e tij, dhe që do ta shohë faktorin shqiptar në Ballkan më të fortë se kurrë.
Bëni politikë, por mos njollosni luftën për liri. Ajo është e shenjtë.