Faton Ahmeti jep mesazhin e parë në nisje të fushatës: Këto zgjedhje janë referendum për të ardhmen e shqiptarëve (VIDEO)

Me nisjen zyrtare të fushatës zgjedhore, Shefi i Shtabit të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Faton Ahmeti, mbajti një konferencë për shtyp ku dha mesazhin e tij të parë drejtuar qytetarëve dhe mediave. Ai theksoi rëndësinë historike të këtyre zgjedhjeve, duke i cilësuar si më shumë se zgjedhje lokale – një referendum për të ardhmen politike dhe dinjitetin e shqiptarëve, raporton TS.

“Askush nuk ka të drejtë të vendosë në vend të qytetarëve. Vetëm ata kanë fuqinë për të zgjedhur përfaqësimin që dëshirojnë,” deklaroi Ahmeti.

Ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në Konventën e mbajtur një natë më parë në Arenën “Boris Trajkovski”, ku sipas tij, u dëshmua fuqia reale e popullit.

Ahmeti theksoi angazhimin e Aleancës për një fushatë të ndershme, transparente dhe me standarde evropiane. Ai bëri thirrje për debat të hapur mbi ide dhe programe konkrete, duke garantuar se subjekti i tij do të ofrojë një alternativë të qartë për qytetarët.

“Fitorja e Aleancës Kombëtare për Integrim do të jetë e madhe, absolute dhe simbol i fuqisë së shqiptarëve,” shtoi ai.

Në fund, ai bëri apel për pjesëmarrje masive në procesin zgjedhor dhe kundërshtoi çdo tentativë për manipulim apo frikësim të votuesve, duke e cilësuar të dështuar çdo përpjekje të tillë./TS