Paralajmërimi për trazira në Ballkan nëse dënohen krerët e UÇK-së, Edi Rama: Ali Ahmeti i di mirë çështjet e stabilitetit

Kohëve të fundit janë shtuar zërat për jostabilitet në Ballkan nëse dënohen ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

E në këtë diskutim është përfshirë së fundmi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Edi Rama u pyet për deklaratat e Ali Ahmetit në protestën e veteranëve, se nëse ata nuk lirohen do të ketë mungesë stabiliteti, madje duke përmendur edhe trazirat.

“Aliu ka një eksperiencë të gjatë me çështjet e stabilitetit, edhe është shumë më kompetent se unë për këtë, aq më tepër që është njohës i thellë i atyre burimeve të brendshme të atyre territoreve për sa i përket krenarisë, sedrës, ndjenjës së të qenit të cenuar padrejtësisht, dhe sa i përket pabesisë, se këtu ka një pabesi, është pabesi shumë e madhe, nëse do të përdorej në fjalën shqipe, e cila ka kuptim shumë të rëndë për ne shqiptarët”, tha Rama.

Ai theksoi se përtej parashikimeve ogurzeza, shpreson që në fund të ketë një dritë në fund të tunelit.

“Përtej asaj që ka thënë Aliu, pa shkuar në parashikime ogurzeza, e gjithë kjo histori është e trishtueshme, zhgënjyese, që unë kam përshtypjen që do të lë gjurmë tek vendet që e sponsorizojnë këtë gjykatë, dhe kam përshtypjen që do të zgjohen për ta reformuar këtë lloj sistemi kaq zhgënjyes. Në momentin që flasim nuk kemi çfarë bëjmë tjetër, përveç të ndjekim procesin, duke shpresuar që në fund do të ketë një dritë ndërgjegjeje në momentin e marrjes së vendimit, e nuk do të jetë deri në fund tunel pa dritë”, tha kryeministri shqiptar.

Ali Ahmeti në protestën e veteranëve në Prishtinë, theksoi se kush i mban të mbyllur Thaçin e të tjerët, punon kundër stabilitetit.

“Në rajonin tonë, në disa lider të ri më së shumti mungon bashkëpunimi, stabiliteti e qartësia pro-perëndimore. Kush i mban të mbyllur këta kontribuues stabiliteti, punon kundër stabilitetit tonë, dhe vet Perëndimit në Ballkan. Gjatë luftërave, pas tyre, e deri më sot, asnjëherë Serbia e zyrtarët e Maqedonisë nuk janë pajtuar me të drejtat e shqiptarëve. Serbia po bën gjithçka për zhbërjen e pavarësisë së Kosovës përmes Gjykatës Speciale të Hagës. Po përpiqet të përmbys çdo të arritur në Kosovë. Gjykata u formua si u formua, u votua si u votua nga deputetë, u bë si u bë, ishte si ishte, por edhe ashtu siç u krijua, ajo nuk po e respekton të drejtën për një gjykim të paanshëm, të drejtë e brenda afatit të aryeshëm”, tha Ahmeti.

Kështu kishte deklaruar edhe deputeti i PDK-së, Nait Hasani.

“Gjithë ky krim, gjithë këto masakra, gjithë ky gjenocid, ky tmerr – ne ende sot jemi duke u përball me Gjykata Speciale në Hagë. Sot i kemi njerëzit që e kanë drejtu luftën atje. Atje po gjykohet lufta jonë, historia jonë. Asnjë nuk po gjykohet për shembull për ndonjë vepër pas lufte.

26 vjet pas nga ky gjenocid që është bërë, ata atje gjykohen për lirinë tonë. Po nëse gjykohet Hashim Thaçi, kush na siguron neve që nuk do të ketë trazira në rajon. Një luftë e jona, një liri e jona me dalë në bankë të të akuzuareve .” – tha Hasani.

“Unë besoj”, shtoi Hasani i pyetur nëse beson se do të ketë trazira në rajon në rast të dënimit të Thaçit.

“Unë besoj se do të ketë trazira në rajon. Të gjithë shqiptarët. Me ma gjyku lirinë time, luftën time, historinë time!?” – shtoi ai.