Zbutet Dodik: Republika Serbe nuk mund të shkëputet nga Bosnja-Hercegovina

Milorad Dodik ka folur me tone të buta në një konferencë për media gjatë ditës së sotme, pas disa muaj kërcënimesh se Bosnje-Hercegovinën po e pret një periudhë shumë sfiduese.

Në fjalimin e tij, ish-presidenti i entitetit të Bosnje-Hercegovinës, Republikës Serbe u ndal te disa çështje aktuale politike, ndër të cilat edhe për mundësinë e ndarjes së shtetit boshnjak dhe bashkëpunimin me vendet e huaja, raporton klix.ba.

“Politika jonë ndaj BE-së mbetet shumë skeptike dhe politika e tyre bazohet në trajtimin e pabarabartë të RS-së. I hedhim poshtë aktivitetet e (komisares evropiane për zgjerim) Marta Kos (e cila dje vizitoi Bosnje-Hercegovinën), e cila pretendon se RS ka plan apo po zbaton secesion. RS nuk mund të zbatojë secesion (ndarje) dhe ajo është palë kontraktuese e një marrëveshjeje ndërkombëtare, dhe mund vetëm të tërhiqet nga ajo”, theksoi ai.

Duke folur për Planin e Rritjes, si një nga kushtet për vazhdimin e rrugës së Bosnje-Hercegovinës drejt BE-së, ai vlerësoi se ky plan është pothuajse i pamundur të miratohet. Në fakt, ai theksoi nën cilat kushte mund të miratohet.

“Plani i Rritjes ka 133 pika dhe pothuajse 700 vërejtje, dhe pothuajse askush nuk e di çfarë është ai. Do ta vendosim këtë çështje në rend dite, dhe nëse është në interes të RS-së, do të miratohet, nëse jo, do të hidhet poshtë”, tha Dodik.

Ai theksoi gjithashtu se SNSD do ta japë qëndrimin e vet për zgjedhjet e parakohshme për presidentin e entitetit pas mbledhjes së Kuvendit Popullor të RS për këtë çështje.