Bujar Osmani: Për këto tre muaj i mësova të gjitha gropat dhe defektet në Çair

Në një atmosferë të mbushur me energji, duartrokitje dhe shpresë për ndryshime, Bujar Osmani, kandidat për kryetar të komunës së Çairit nga radhët e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), sonte hapi shtabin e koalicionit në zemër të Çairit. Para qindra qytetarëve dhe mbështetësve të pranishëm, Osmani dërgoi një mesazh të fuqishëm dhe emocional për ndershmëri, disiplinë dhe ndryshim.

“Të dashurit e mi, i dëgjoj bisedat, ‘Bujari nuk ka qenë kurrë në komunë, si do t’i dijë problemet lokale?’ Por unë tre muaj kam ecur nëpër rrugët e Çairit. Sot mund të përmend çdo gropë, çdo problem që e kam hasur, çdo rrugë në Çair dhe çfarë sfidash ka”, deklaroi Osmani, duke dërguar mesazh të fortë se hallet lokale i ka kthyer në mision personal.

Fjalimi i hapjes së shtabit u shndërrua në një lloj deklarate politike për atë se çfarë do të thotë përkushtim i vërtetë.

“Nuk premtoj mrekulli. Së pari premtoj ndershmëri. Sepse ajo më ka karakterizuar gjithë jetën time politike dhe profesionale. Dhe këtu qëndron kontrasti mes meje dhe kundërkandidatit tim, ndershmëria kundrejt pandershmërisë”

Paralelet me karrierën e tij shtetërore ishin të pashmangshme. “Të njëjtën gjë ma thoshin edhe kur isha zëvendëskryeministër: ‘Ti je doktor, nuk di ta zgjidhësh çështjen e emrit’. Por unë dëshmova se me përkushtim, me punë dhe me disiplinë mund të tejkalohet çdo sfidë. U morëm me çështjen e emrit. Pas tridhjetë vitesh e zgjidhëm dhe u bëmë anëtare e NATO-s”.

Osmani paraqiti vizionin e tij “Çair 2040” si simbol të një fillimi të ri.

“Institucioni nuk guxon të lidhet me individin. Komuna është e juaja. Nuk guxon të bëhet dorë e zgjatur e një klani. Nëse e lini njëzet vjet në duart e një njeriu, ajo i ngjitet atij. Bëhet dora e tretë e atij klani. Për këtë ekziston instrumenti demokratik, ndryshimi”.

Para shtabit, ku atmosfera ishte e ngjashme me një moment historik, Osmani dërgoi edhe kritikën më të ashpër ndaj qeverisjes shumëvjeçare të kundërkandidatit të tij. “Nuk mundet i njëjti njeri që për njëzet vjet e solli komunën në këtë gjendje, tani të ofrohet si ofertë e re. Unë mendoj se kjo nuk është e drejtë ndaj njerëzve”.

Qytetarët u prekën veçanërisht nga thirrjet që drejtpërdrejt iu referoheshin problemeve të tyre të përditshme.

“Katër njerëz në ditë përfundojnë në sallën e operacionit në Çair për shkak të aksidenteve me trotinetë, sepse nuk ka sinjalizim, nuk ka trotuare, nuk ka rregulla. Çdo fëmijë i dytë në Çair ka shtyllë kurrizore të deformuar, sepse shkollat nuk mbajnë aktivitet fizik të rregullt. Kjo nuk është tifozëri partiake. Kjo është pyetje, kujt do t’ua lëmë amanet fëmijët tanë?.

Osmani e përmbylli mesazhin e tij me thirrje për një vendim historik. “Prandaj 19 tetori është moment që të ndaleni dhe të mendoni mirë për vendimin që do ta merrni. Sepse keni vetëm një mundësi çdo katër vjet. Dhe këtë mundësi duhet ta mendoni për fëmijët tuaj, për familjet tuaja, për të ardhmen tonë”.

Hapja e shtabit të AKI-së sonte u bë më shumë se një ngjarje e zakonshme zgjedhore. U bë moment mobilizimi, shprese dhe mesazhi se Çairi ka shans për një fillim të ri.