Gratë në “hije”, vetëm 6% kandidate për kryetare komunash

Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, nga gjithsej 206 kandidatë që garojnë për postin e kryetarit të komunave, vetëm 12 janë gra, ndërsa 194 janë burra. Këto shifra dëshmojnë për një përfaqësim shumë të ulët të grave në garën për udhëheqjen komunale, duke ngritur shqetësime për mungesën e barazisë gjinore në politikë.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe në vend, ka propozuar vetëm një grua , Egzona Tërdevcin si kandidate për kryetare të Drenasit, ndërsa të gjithë kandidatët e tjerë të kësaj partie janë burra. Një qasje e ngjashme vërehet edhe te Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila ka kandiduar vetëm një grua për komunën e Zubin Potokut.

Përjashtime të pjesshme nga ky trend janë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Nisma Socialdemokrate. PDK ka propozuar tre gra si kandidate në komunat Mitrovicë e Veriut, Pejë dhe Kamenicë, ndërsa Nisma ka bërë të njëjtën gjë në komunat Vushtrri, Istog dhe Prizren.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kandiduar dy gra në komunat Fushë-Kosovë dhe Ferizaj, ndërsa Partia Socialdemokrate (PSD), ka propozuar gjithashtu dy gra, Besa Shahinin në Prishtinë dhe Natyra Kuçin në Deçan.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) vlerëson se subjektet politike në vend nuk po u ofrojnë grave hapësirë të mjaftueshme për të qenë kandidate, qoftë për pozitat e kryetareve të komunave apo edhe për asambletë komunale.

Besarta Breznica nga RrGK thekson se partitë politike në Kosovë vazhdojnë të mos i shohin gratë si lidere të mundshme dhe rrjedhimisht nuk i përfshijnë në pozita udhëheqëse.

Sipas saj, kjo përbën shkelje të Ligjit për Zgjedhje, i cili garanton përfaqësim gjinor prej 50% në listat zgjedhore, përfshirë edhe garën për kryetare komunash dhe anëtare të asambleve komunale.

“Fatkeqësisht hapësira nuk iu jepet grave për të qenë e kandidaturës qoftë për kryetare të komunave apo edhe për asamble. Fatkeqësisht në Kosovë mbizotëron që strukturat partiake të jenë në duar të burrave të cilët i prijnë atyre listave, decidivisht edhe në periudhat kur gratë kur kanë tentuar të kandidojnë për kryetare të komunave partitë në fjalë kanë ndarë shumë pak buxhet për atë fushatë apo edhe në anën tjetër nuk është që kanë ndihmuar aq sa i shohim kur i kanë kandidatët e tyre burra. Vlen të përmendet që këtu vërehet dhe shihet qartazi edhe një mendësi patriarkale të cilat gratë nuk shihen në pozita udhëheqëse, mirëpo gjithmonë që burrat të jenë në pozita udhëheqëse. Përveç kësaj ligji i zgjedhjeve garanton 50/50 pjesëmarrje, mirëpo ne e vërejmë që nuk ka zbatueshmëri të saj në praktikë“, theksoi ajo.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson se nga certifikimi i kandidatëve dhe subjekteve politike për zgjedhjet lokale, shihet se ka një numër shumë të ulët të grave që kandidojnë për kryetare komunash.

Sipas tij, përqindja e grave në kandidaturat për kryetare të komunave është 6 deri 8 për qind, dhe kjo shifër është shqetësuese për demokracinë lokale.

“Nga ajo që vërehet në certifikimin e kandidatëve dhe subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale vërehet që është një numër minimal i grave që kandidojnë për kryetare të komunave dhe ky nivel kaq i ulët në numër në 6 deri 8% të gjithë kandidatëve të komunave është një shifër e ulët dhe është shqetësues për demokracinë lokale…kur dihet dhe kihet parasysh se gratë janë më shumë se gjysma e popullatës në Kosovë dhe ato do të duhej të përfaqësoheshin në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi ai.

Për zgjedhjet komunale të 12 tetorit, janë të certifikuara 93 subjekte politike, prej të cilave 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 5,626 kandidatë, prej të cilëve 206 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 5 mijë 420 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.