Estonia kërkon konsultime te NATO pasi avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore

Estonia kërkoi konsultime urgjente me vendet anëtare të NATO-s pasi të premten tre avionë ushtarakë rusë shkelën hapësirën e saj ajrore. Sipas qeverisë, tre avionët luftarakë MIG-31 hynë pa leje në Estoni mbi Gjirin e Finlandës dhe qëndruan aty gjithsej 12 minuta.

“E konsiderojmë kyçe konsultimet me aleatët tanë për të siguruar vetëdije të përbashkët për situatën dhe për t’u dakorduar për hapat tanë të ardhshëm të përbashkët,” deklaroi kryeministri estonez, Kristen Mihkel. “Reagimi i NATO-s ndaj çdo provokimi duhet të jetë unik dhe i fuqishëm,” shtoi ai.

Incidenti menjëherë shkaktoi reagim nga NATO. Italia, Finlanda dhe Suedia dërguan avionë luftarakë si pjesë e misionit të NATO-s për forcimin e krahut lindor. Avionë luftarakë italianë F-35, të bazuar në Estoni, u aktivizuan si pjesë e misionit “Baltic Air Policing” për të kapur dhe shoqëruar avionët rusë jashtë hapësirës ajrore të vendit.

Sipas informacionit të qeverisë estoneze, avionët rusë nuk kishin dorëzuar plan fluturimi, transponderët e tyre ishin të fikur dhe nuk kishte komunikim radio dypalësh me kontrollin e fluturimit të Estonisë.

Edhe pse NATO e vlerësoi ngjarjen si “një tjetër shembull i sjelljes së pamatur ruse dhe demonstrim i aftësisë së NATO-s për të reaguar”, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë i hodhi poshtë akuzat. Ata pretendojnë se avioni fluturonte “sipas planit, duke iu përmbajtur rreptësisht rregullave ndërkombëtare për hapësirën ajrore pa shkelur kufijtë e shteteve të tjera, gjë që është konfirmuar nga monitorimi objektiv”.

Rusia thekson se avionët fluturonin mbi ujërat neutrale të Baltikut, më shumë se 3 kilometra larg ishullit Vaindloo, që i përket Estonisë.

Kjo është shkelja e pestë e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia këtë vit, sipas zyrtarëve. Estonia, e cila kufizohet me Rusinë në lindje, e konsideron se incidente të tilla përbëjnë kërcënim për sigurinë rajonale.

Sipas Nenit 4 të Traktatit të NATO-s, çdo vend anëtar mund të kërkojë konsultime urgjente me anëtarët e tjerë nëse ndjen kërcënim ndaj territorit të tij, pavarësisë politike ose sigurisë. Kjo është hera e dytë këtë muaj që një vend anëtar i NATO-s aktivizon Nenin 4, pasi Polonia e bëri këtë më 10 shtator kur dronë rusë hynë në hapësirën e saj ajrore.

Presidenti amerikan Donald Trump, duke komentuar incidentin e së premtes, deklaroi: “Nuk më pëlqen. Nuk dua që të ndodhin gjëra të tilla. Mund të bëhet një problem i madh.”