Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se nuk janë prishur me Amerikën, por që sipas tij, mes tyre ka dallime, transmeton klankosova.tv.
“Ne duam të qartësojmë për qytetarët tanë se bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për dialog strategjik, jo të dialogut strategjik si proces të nisur, e as të komunikimit të rregullt që ne e kemi. Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime”, u shpreh Kurti.
Përgjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, Kurti thotë se deklaratat dhe qëndrimet e Ambasadës Amerikane në Kosovë i trajtojnë seriozisht, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Kurtit, Kosova dhe ShBA kanë dallime në fushën e diplomacisë, por megjithatë, sipas tij, shpesh nuk bien ndesh në mendime të njëjta.
“I siguroj qytetarët tanë se qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e Ambasadës Amerikane. Përgjatë mandatit tonë jemi munduar që raportet dhe partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të forcohet në tri shtylla kryesore, diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Në shtyllën e diplomacisë kemi disa dallime, dhe ato kanë të bëjnë shumë shpesh me qëndrimet tonë në raport me Serbinë, dhe veprimet ndaj strukturave të saj ilegale në Kosovë”, u shpreh kryeministri në detyrë.
“Përderisa pajtohemi për interesa, vlera e qëndrime, nganjëherë jo edhe për çështje operacionale e taktike. Me gjithë këto vështirësi në këtë shtyllë, pa dyshim se ka ecje substanciale në dy shtylla të tjera”, tha Kurti mes tjerash.
Shtetet e Bashkuara, më 12 shtator njoftuan se ka pezulluar pa afat Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën.
Ky vendim, sipas ambasadës amerikane në Prishtinë erdhi “për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta”.
“Mbetemi të përkushtuar në avancimin e interesave të përbashkëta të përbashkëta nga Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitetin e ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit kujdestar Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, thuhej në njoftimin e Ambasadës amerikane, transmeton Klankosova.tv.
Dialogu strategjik kishte për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike në dobi të popullit amerikan dhe kosovar.