Tanket izraelite hyjnë në një distrikt të rëndësishëm banimi të Qytetit Gaza

Banorët lokalë dhe dëshmitarët kanë thënë se dhjetëra tanke dhe automjete të tjera të ushtrisë izraelite kanë hyrë në një distrikt të rëndësishëm banimi të Qytetit Gaza, në ditën e dytë të ofensivës tokësore izraelite me të cilën synohet pushtimi i asaj zone.

Në pamje shiheshin tanke, buldozerë dhe automjete të blinduara për transportimin e personelit duke lëvizur në skajet e distriktit Sheikh Radwan, në pjesën veriore të Qytetit Gaza. Tym i dendur mund të shihej, përderisa forcat izraelite shkrepnin predha artilerie e bomba tymi për ta mbuluar avancimin e tyre.

Distrikti Sheikh Radwan ishte shtëpi për dhjetëra mijëra njerëz para fillimit të luftës dhe konsiderohet si njëra nga zonat me popullsinë më të dendur në qytet, raporton televizioni BBC.

Izraeli thotë se qëllimi i ofensivës në Qytetin Gaza është lirimi i pengjeve që po mbahen nga Hamasi dhe mposhtja e deri 3.000 luftëtarëve në atë që e përshkruan si “bastioni i fundit” i këtij grupi. Megjithatë, operacioni është dënuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.

Udhëheqësit e më shumë se 20 agjencive të njohura të ndihmave, përfshirë organizatat “Save the Children” dhe “Oxfam”, kanë paralajmëruar se “mizoria e situatës në Gaza është e papranueshme”.

Banorët në Sheikh Radwan thanë se hyrja e automjeteve ushtarake izraelite të mërkurën erdhi pas një vale të sulmeve të rënda ajrore që në shënjestër kishin ndërtesa dhe rrugë kryesore në mbarë lagjen, në atë që dukej si përgatitje për sulmin tokësor.

Saad Hamada, banor lokal që iku drejt jugut me familjen e vet më herët të mërkurën, televizionit BBC i tha: “Dronët nuk lanë asgjë. Ata goditën panele solare, gjeneratorë të rrymës, rezervuarë uji, madje edhe rrjetin e internetit.”

“Jeta u bë e pamundshme dhe kjo është ajo që i detyroi shumicën e njerëzve që të largoheshin, pavarësisht nga rreziku” – shtoi ai.

Banorët lokalë thonë se marrja e lagjes nën kontroll mund t’ua hapë rrugën forcave izraelite që të avancojnë më thellë në qytet dhe të arrijnë në pjesët qendrore të tij.