Mashtrime me parkingje, shpërblime për militantë – modeli i kryetarit në ikje Bilall Kasami

Koalicioni AKI në Tetovë mbajti sot një konferencë për shtyp ku akuzoi kryetarin në ikje të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, për dështim në realizimin e premtimeve lidhur me ndërtimin e parkingjeve publike informon Tetovasot.

Në deklaratën e tyre, përfaqësuesit e AKI-së rikujtuan se Kasami ishte zotuar në vitin 2021 se do të ndërtonte shtatë parkingje me kate brenda gjashtë muajsh, por pas katër vitesh Tetova ende nuk ka asnjë parking të ri. Sipas tyre, jo vetëm që nuk janë ndërtuar hapësira të reja parkimi, por edhe vendet ekzistuese janë bërë me pagesë, duke rritur shpenzimet e qytetarëve.

Në konferencë u theksua gjithashtu se qytetarët e Tetovës paguajnë 40% më shumë për parkim zonal dhe parkingje të mbyllura, ndërkohë që Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” ka raportuar humbje çdo vit, në total mbi 25 milion denarë për katër vitet e fundit. AKI akuzoi se këto humbje janë mbuluar nga buxheti i komunës, pra nga taksat e qytetarëve, ndërsa ndërmarrja shpenzon më shumë për paga dhe borde fiktive, duke punësuar militantë partiakë.

“Qytetarët paguajnë më shumë, ndërmarrja është në borxhe, ndërsa militantët shpërblehen me vende pune. Ky është modeli i kryetarit në ikje Bilall Kasami – mashtrime, zhvatje dhe kapje partiake e institucioneve publike”, thuhet në deklaratën e AKI-së.

Koalicioni theksoi se ky është shembull i keqmenaxhimit dhe se Tetova ka nevojë për një model të ri qeverisjeje lokale që i jep prioritet qytetarëve.Tetovasot

Reagimi i plotë:

Jemi sot këtu për të denoncuar një tjetër mashtrim dhe dështim të madh të kryetarit në ikje, Bilall
Kasami.
Në vitin 2021, ai u zotua para qytetarëve se për vetëm 6 muaj do të ndërtonte 7 parkingje me kate.
Sot, pas katër vitesh, Tetova nuk ka asnjë parking të ri, një premtim i zbrazët që tregon fytyrën e
vërtetë të këtij keqmenaxhimi.

Kryetari në ikje nuk ndërtoi asnjë parking të ri. Përkundrazi, vend-parkimet ekzistuese, si ky ku jemi
sot, i bëri me pagesë, pa ofruar asnjë zgjidhje. Si pasojë, vetëm u rritën shpenzimet e banorëve dhe
qytetarëve.

Po ashtu, kryetari në ikje premtoi se parkimi do të ishte falas deri në zgjidhjen e problemit me
hapësirat publike. Çfarë kemi sot? Qytetarët e Tetovës paguajnë 40% më shumë për parkim zonal
dhe për parkingjet e mbyllura. Pra, nga njëra anë premtime boshe, nga ana tjetër zhvatje e
drejtpërdrejtë e qytetarëve.

Ndërkohë, Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” ka punuar me humbje çdo vit, katër vite rresht
ose në total mbi 25 milion denarë humbje.
Këto humbje janë mbuluar nga paratë e taksapaguesve tetovarë, pra nga buxheti i Komunës së
Tetovës, për një veprimtari e cila kryesisht ka të bëjë me gjobitjen e qytetarëve. Kjo do të thotë se
tetovarët paguajnë dy herë: një herë kur paguajnë gjobat dhe herën e dytë kur nga taksat dhe
tatimet e tyre mbulojnë humbjet e ndërmarrjes. Ky është një akt i pastër hipokrizie institucionale
dhe një dështim total.

Dhe pse ky dështim? Sepse paratë e qytetarëve nuk shkojnë për shërbime më të mira, por për paga
dhe borde fiktive. Në vitin 2024 shpenzimet për paga dhe kompensime u rritën ndjeshëm, që është
një shenjë e qartë se janë bërë punësime të panevojshme për militantë partiakë të BESA-s dhe
VMRO-së, meqë kjo ndërmarrje tash më 4 vite menaxhohet nga kuadër i VMRO-së.

Pra, qytetarët paguajnë më shumë, ndërmarrja mbyllet në borxhe, ndërsa militantët partiakë
shpërblehen me vende pune. Ky është modeli i kryetarit në ikje Bilall Kasami, mashtrime, zhvatje dhe
kapje partiake e institucioneve publike.