Mbrojtja në gjykimin e katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, sot fillon dëshminë në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Dëshmitari i parë i thirrur nga mbrojtja e ish presidentit Thaçi është ish ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin.
Rubin i cili sot dëshmon në mbrojtje të katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte ndihmëssekretar i shtetit për çështjet publike dhe zëdhënës zyrtar gjatë administratës së Bill Clinton dhe sekretarit të shtetit Madeleine Albright. Ai ishte një nga figurat kyçe të politikës së jashtme të ShBA-së në fund të viteve ’90.
Ai luajti një rol të rëndësishëm në komunikimin e politikës amerikane gjatë luftës së Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s në 1999, njofton Klankosova.tv.
Rubin ka vizituar shpesh rajonin dhe ka qenë një përkrahës i zgjidhjeve diplomatike për krizën në Kosovë dhe stabilitetin në rajon. Ka mbrojtur publikisht ndërhyrjen e NATO-s si të domosdoshme për ndalimin e spastrimit etnik nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
Kujtojmë se javën e kaluar ai tha se ka shumë për të treguar mbi atë periudhë, ndërsa në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 11 prill 2023, Rubin kishte deklaruar se “UÇK-ja luajti rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në çmilitarizimin e premtuar prej tyre”.
Klankosova.tv ju sjellë të gjitha zhvillimet nga Haga.
Rubin: Ata që kërkonin Pavarësinë e Kosovës, donin gjithçka
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, po vazhdon dëshminë në Gjykatën Speciale pas pauzës 10 minutëshe.
Ai tash foli për arritjen e marrëveshjes së paqes në Kosovë, për të cilën tha se ishte shumë e vështirë.
“Të kishim gjithë botën në anën tonë, që ta mbushnim mendjen serbe që të arrihet marrëveshja e paqes”, u shpreh ai.
Sa i përket Pavarësisë së Kosovës, Rubin u shpreh se ata që e donin këtë, në fakt donin gjithçka.
“Personat që kërkonin Pavarësinë e Kosovës, ishin maksimalist, donin gjithçka, ne mundoheshim të gjenim një të mesme të artë”, tha ai.
Ndër të tjera, James Rubin u shpreh se amerikanët u përpoqën të nxirrnin një mes të mirë për të gjithë.
Dëshmia e James Rubin – trupi gjykues shkon në pauzë
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin po jep dëshminë e tij në Hagë, i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit.
Përderisa dëshmia e tij zgjati rreth një orë, trupi gjykues ka kërkuar pauzë 10-minutëshe, për t’u kthyer sërish në sallë, transmeton Klankosova.tv.
Ndaj Rubinit u kërkua që të mos fliste me askënd rreth dëshmisë së tij.
A i refuzoi UÇK-ja propozimet e Albright? – Flet James Rubin
Rubin, në dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, foli edhe rreth artikullit të “The New York Times” të vitit 1999-ës, ku thuhej se UÇK-ja kishte refuzuar propozimet e sekretares tashmë të ndjerë, Madeline Albright.
“Më kujtohet që kishte marr përshtypje nga kjo, jo biseda. Domethënë nuk është gjithmonë e saktë. Ndoshta e ka ekzagjeruar atë [artikullin]”, u shpreh Rubin, transmeton Klankosova.tv.
Derisa sipas artikullit, Hashim Thaçi dinte të fliste në gjuhën serbe, për këtë, ish-zyrtari i lartë amerikan tha se nuk dinte një gjë të tillë.
“Unë e dija që nuk fliste në gjuhën angleze”, u shpreh Rubin.
Takimi Rubin-Thaçi në Rambuje: U mundova ta ndihmoj në arritjen e vendimit të duhur
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Hagë zbuloi se ish-presidenti Ibrahim Rugova kishte thënë se Kosova duhet të ketë sovranitetin së pari, e pastaj integrimin në Bashkësinë Ndërkombëtare më vonë.
“Shqiptarët e Kosovës kërkojnë pavarësi, por së pari siguri”, tha Rubin duke cituar fjalët e Rugovës, transmeton Klankosova.tv.
James Rubin poashtu tha se mikja e Kosovës, Madeline Albright kishte inkurajuar ushtarët e UÇK-së të themelonin parti politike.
Rreth artikullit për Thaçin të Rubin në “The Financial Times”, ai thotë se është i lumtur që e ka shkruar në atë mënyrë.
“Uroj të jeni Gary Adams i Kosovës”, kështu e kishte uruar Albright, Rubinin, i cili thotë se në atë kohë nuk kishte takuar ende pjesëtarë të UÇK-së, derisa shtoi se për të ushtria e Kosovës në atë kohë ishte shumë e vogël për ta.
“Ajo po përpiqej paqen në Rambuje, ta ndalonte luftën. Ajo po përpiqej të bënin të kuptonin që nuk fitohet çmimi Nobel kështu, por paqja. Sepse njerëzit po transformoheshin”, u shpreh ish-zyrtari amerikan.
Se si kishte ndërvepruar me Thaçin në Rambuje, Rubin thotë se ish-presidenti e njohu menjëherë.
“Ai më njohu. Në ato ditë shpreheshin fizikisht, të kapnin dorën, Zonja Albright e vërejti, më tha ‘James fol me të, njohu me të’, sepse unë nuk e njihja. Ne donim të dinim më shumë se kush ishte udhëheqësi i delegacionit. Ne donim të ishim në favor të marrëveshjes së paqes. Më tha të njihem me të, ta ndihmojë në arritjen e marrëveshjes së duhur. Kështu bëra, qëndrova me të për dy javë, kemi ngrënë bashkë, pinim bashkë jashtë”, tha ai.
Rubin shton se në atë kohë Thaçi nuk ka folur në gjuhën angleze, e që sipas tij ata komunikonin me gjuhën e trupit, derisa për çështje diplomatike, flisnim me përkthyes.
Rubin: Përpjekja për të parandaluar një masakër masive të shqiptarëve të Kosovës ishte e madhe
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin në dëshminë e tij në Hagë pro-Thaçit dhe të tjerëve, tha se përpjekja për të sjellë paqen dhe për të parandaluar një masakër masive të shqiptarëve të Kosovës, ishte e madhe.
Ai tha se nuk ishte i sigurt pse Hashim Thaçi ishte zgjedhur përfaqësues i shqiptarëve të Kosovës, megjithëse shtoi se ai ishte zgjedhur, transmeton Klankosova.tv.
Rubin për takimin me Thaçin pas luftës: Nga një djalë që punonte në vështirësi, ishte bërë kryeministër
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin në dëshminë e tij në Hagë pro-Thaçit dhe të tjerëve, tha se është takuar me udhëheqës të Kosovës gjatë luftërave në fillim të viteve të 90-ta në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë asaj kohe, ai tha se në Prishtinë ishte takuar dy ose tri herë me ish-presidentin Ibrahim Rugova, dhe me shqiptarë të tjerë, transmeton Klankosova.tv.
Rubin thotë se në vitin 1991-1992 ai dhe Madeline Albright kishin mendime të ngjashme, për të depërshkallëzuar tensionet në Ballkan, rrjedhimisht edhe në Kosovë.
“Ishe kauzë shumë e rëndësishme”, tha tutje ai.
James Rubin po ashtu deklaroi se kishte gisht në themelimin e Tribulanit të Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë.
Ai pohoi po ashtu se ishte i përfshirë në Marrëveshjen e Rambujesë me delegacionin shqiptar.
Rubin po ashtu tha se ka pasur ndërveprim me Thaçin në vitin 2000.
“Më kujtohet takimi i parë me Thaçin, ishte kohë e vështirë, nuk kishte ndonjë pushtet. Herën e parë pas publikimit të këtij artikulli, jemi takuar në Nju Jork pasi ishte bërë kryeministër. Unë u habita shumë, sepse ai kishte kaluar nga nja djalë i ri që punonte në rrethana të vështira, dhe ishte bërë kryeministër. Pra kishin kaluar katër-pesë vite. Hera e fundit që jemi takuar ka qenë rreth vitit 2018, kur po punoja në Uashington”, tha Rubin.
Nis dëshmia e James Rubin në Hagë
Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka nisur dëshminë para Gjykatës Speciale si dëshmitar i mbrojtjes së ish-drejtuesve të UÇK-së.
Lidhur me dëshminë e tij në Hagë, Rubin e kishte bërë vet të ditur lajmin në një episod të emisionit “Dosje të mëparshme” me gazetaren e CNN, Christiane Amanpour, transmeton Klankosova.tv.
Ai ka deklaruar se ka shumë për të thënë rreth luftës në Kosovë.
“Do të jem në Evropë, sepse javën e ardhshme do të jap dëshmi në Tribunalin Special për krime lufte në Kosovë dhe si dikush që ishte i dobishëm për Madeleine Albright dhe në themelimin e Tribunalit fillestar për Krime Lufte, do të kthehem në të kaluarën dhe kam më shumë për të thënë për këtë”, ka deklaruar ai.
“Pse s’e keni përcjell gjykimin? – Gazetarja e Klanit e zë ngushtë ambasadorin e Kosovës në Holandë
Ambasadori i Kosovës në Holandë, Dren Doli i pyetur nga gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, se pse nuk ka qenë i pranishëm në seancat e gjykimit të katërshes së UÇK-së, ai tha se ato i ka përcjellë në formën online.
Derisa Mujku e pyeti gjithashtu se pse nuk kanë kthyer përgjigje për kritikat që kanë marrë lidhur me mos-përcjelljen e këtij procesi gjyqësor, transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, sipas tij gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përcillet nga ambasada e Kosovës në Holandë përherë.
Naser Thaçi e Bekim Geci nuk pranohen të marrin pjesë në Gjykatë
Naser Thaçi dhe Bekim Geci edhe pse me konfirmim nuk janë pranuar të marrin pjesë në gjykimin që pritet të mbahet sot në Hagë.
Kështu bëri të ditur gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku e cila po raporton nga vendi i ngjarjes.
Naser Thaçi është po ashtu edhe familjar i ish-presidentit Hashim Thaçi.
Avokati i Thaçit: Sot kuptohet se çfarë me të vërtetë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999
Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Pierre Richard Prosper pak para nisjes së seancës ku do të dëshmojë ish-diplomati, James Rubin, tha se Thaçi është falënderues ndaj të gjithëve që po e përkrahin në këtë proces.
Në një prononcim për gazetaren e Klan Kosovës, Rina Mujku, Prosper tha se tani është koha që do të zbulohet e vërteta e Kosovës e vitit 1999, transmeton Klankosova.tv.
“Presidenti falënderon të gjithë që po e përkrahin në këtë proces. Jemi entuziast për sot, që do të na jep një shans që të kthehemi në realitet, do të kemi një shans që të tregojmë të vërtetën se çfarë me të vërtetë ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999. Do të jetë fillimi i ri ku ju mund të shihni prova të reja që do të tregohen që presidenti nuk është përgjegjës për akuzat që i janë bërë”, tha avokati.
“Ne kemi qenë të suksesshëm dhe do të vazhdojmë të jemi të suksesshëm”, tha ndër të tjera ai për Mujkun.
Familjarët e Veselit arrijnë te gjykata
Ish-ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Rubin, pritet ta nisë sot dëshminë e tij para Gjykatës Speciale, në mbështetje të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së.
Me rastin e kësaj dite, pranë gjykatës tashmë kanë arritur edhe familjarët e Kadri Veselit.
Gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku e cila po përcjell nga afër zhvillimet në Hagë, ka dërguar fotografi nga vendi i ngjarjes.
Në foto shihet djali i Kadri Veselit, Klestori dhe familjarët e tjerë.