AKI: Drejtori i MEPSO-s Burim Latifi i ndan tenderët me kompanitë serbe! (VIDEO)

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ngre alarmin për një skandal të nivelit më të lartë, i cili rrezikon sigurinë energjetike të shtetit dhe e vendos Maqedoninë në duart e projektit të ashtuquajtur “bota serbe”. Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, kushëriri i parë i kandidatit të VLEN-it për Çair, Izet Mexhiti, ka nënshkruar kontrata me kompani serbe për projekte me rëndësi strategjike.

“Ne kemi fakte se funksionarët e VLEN-it jo vetëm që heshtin përballë projektit të ashtuquajtur bota serbe, por e mbështesin atë aktivisht dhe këtë e bëjnë përmes tenderëve publikë”, deklaroi zëdhënësi i AKI-t, Fitim Kakruki.

Më 21 gusht, drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, ka nënshkruar një kontratë me kompaninë “IMP-Telekomunikacije DOO Beograd” për furnizimin dhe instalimin e pajisjeve të telekomunikacionit për telembrojtjen e linjës elektroenergjetike midis Shtipit dhe Vranjës. Kjo linjë është kyçe për stabilitetin energjetik të shtetit dhe çdo ndërhyrje mbi të ka pasoja serioze strategjike.

Vetëm një muaj më parë, në korrik, Latifi ka nënshkruar edhe një kontratë tjetër, në vlerë prej rreth 150 mijë eurosh, me kompaninë serbe “Siemens DOO Beograd” për mirëmbajtje softuerike.

“Bëhet fjalë për një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë kombëtare. Me këto kontrata, Beogradi fiton qasje në sistemet prej të cilave varet siguria energjetike e Maqedonisë. Kush e ka lejuar këtë dhe me çfarë qëllimi”, pyeti Kakruki.

AKI kërkon nga Qeveria, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe institucionet e sigurisë që menjëherë të hapin procedurë për hetimin e kontratave të MEPSO-s me kompanitë serbe dhe të përcaktojnë nëse ka konflikt interesi dhe ndikim politik nga Izet Mexhiti dhe koalicioni VLEN.

“Në Maqedoni ka dhjetëra kompani, si shqiptare ashtu edhe maqedonase, që mund ta kryejnë këtë punë, por Latifi zgjedh firma nga Beogradi. Kjo nuk është rastësi, kjo është dëshmi e qartë e një agjende partiake dhe familjare”, theksoi zëdhënësi i AKI-t.

Aleanca Kombëtare për Integrim porosit se nuk do të lejojë që interesat personale të VLEN-it dhe lidhjet familjare të Izet Mexhitit ta sakrifikojnë shtetin dhe ta vendosin në shërbim të ndikimeve të huaja.

“Qytetarët e Çairit dhe të gjithë Maqedonisë duhet të pyesin veten nëse duan që siguria e tyre energjetike të lihet në duart e kompanive serbe për shkak të lidhjeve familjare. Ne nuk do të heshtim, do të mbrojmë interesin kombëtar dhe të ardhmen evropiane të shtetit”, përfundoi Kakruki.

09309-2025

AKI: Drejtori i MEPSO-s Burim Latifi i ndan tenderët me kompanitë serbe! (VIDEO)