Osmani: Mbi rrugën “Cvetan Dimov” do të ketë shesh, Çarshia e Vjetër do të rikonstruktohet në nivel botëror
Në takimin me qytetarët në Çair, kandidati për kryetar komune Bujar Osmani foli për zgjidhjet konkrete që burojnë nga strategjia e tij urbane “Vizion Çair 2040”, duke theksuar se Çair nuk ka kohë për improvizime të reja, por kërkon projekte të mëdha dhe të guximshme që më në fund do t’i sjellin rend dhe dinjitet.
“Disa kandidatë propozojnë që rruga ‘Cvetan Dimov’ të zgjerohet me nga një korsi tjetër, por kur i pyeta ekspertët, përgjigjja e tyre ishte e qartë: sa më shumë korsi, aq më shumë automjete.
Problemi nuk zgjidhet kështu”, tha Osmani, duke aluduar në mungesën konceptuale te kundërkandidatët.
Në të kundërt, Osmani publikoi një projekt ambicioz me qasje arkitektonike konkrete dhe realizim të mundshëm: ndërtimin e një sheshi të ri, Liria, që do të lidhë hapësirën mes Seravës dhe Gazi Babës, me transformim të plotë të rrugës “Cvetan Dimov” në një nënkalim për komunikacion, e mbi të një shesh për këmbësorë.
“Nuk do t’i lëmë më fondet e BE-së, për të cilat unë e konsideroj veten ekspert, të dështojnë. Do t’i shfrytëzojmë si fondet evropiane, ashtu edhe ato vendore.
Sheshi Liria do të jetë qendër e re urbane, vend për socializim, kulturë dhe komunikacion të sigurt.”
Projekti, siç tha ai, nuk është fantazi, por i përgatitur nga arkitektë të njohur botërorë me matje precize, buxhetim dhe analizë urbanistike. Përveç nënkalimit dhe sheshit, plani parasheh edhe parkingje nëntokësore, me ç’rast zgjidhen tre sfida kyçe: siguria e komunikacionit, cilësia e hapësirës publike dhe parkimi.
“Nëse ka mundur Ferizaj të bëjë një nënkalim, pse të mos mundë edhe Çairi?”, pyeti Osmani, duke paralajmëruar një projekt ambicioz, por të realizueshëm, i cili, siç tha, do të jetë simbol i kohës së re.
Në pjesën e dytë të fjalimit, Osmani e theksoi Çarshinë e Vjetër të Shkupit si kapitalin më të madh, por të lënë pas dore të Çairit. Në vend të projekteve të reja dhe të shtrenjta, zgjidhja është e thjeshtë, kthim te rrënjët.
“Çairi nuk ka det, por ka Çarshi. Turistët nuk vijnë për çadrat me birrë dhe Coca-Cola, por për historinë, zejtarinë dhe ushqimin tradicional. Nuk na duhen arkitektë të rinj, por fotografi të vjetra, vetëm ta kthejmë pamjen e saj të para 100 viteve”, tha Osmani.
Projekti parasheh rikonstruksion autentik të Çarshisë sipas modelit të Gjirokastrës, ku të njëjtit arkitektë e kanë realizuar me sukses procesin. Osmani paralajmëroi rikthimin e zanateve, përmbajtjeve kulturore dhe traditës, me një vizion të fuqishëm turistik.
Në fjalimin e tij, Osmani kritikoi ashpër praktikën e deritanishme të qeverisjes pa plan:
“Gazi Baba nuk ka plan urbanistik të detajuar që nga viti 1995, ndonëse me ligj duhet të ketë çdo pesë vjet. Kjo nuk ka ndodhur pse nuk ka pasur kapacitet, por sepse ka qenë më e lehtë pa plan, kaosi ka qenë një mjet politik.”
Gjithashtu, kujtoi se edhe Çarshia e Vjetër nuk ka plan urbanistik që nga vitet ’90, gjë që, sipas tij, tregon sa shumë është lënë pas dore dhe degraduar.
“Sheshi Skënderbeu sot është jofunksional. Në vend që të jetë qendër kulturore dhe rinore, është vetëm një plato e zbrazët. Aty duhej të kishte një galeri multifunksionale. Ky nuk është projekt i shtrenjtë, por kërkon vizion. Duhet të dish kah po shkon, përndryshe përfundon në kaos.”
Me Vizionin 2040, Osmani ofroi jo vetëm plan urbanistik, por edhe një kthesë ideologjike: nga politika e improvizimit drejt politikës së rendit, kulturës dhe së ardhmes urbane evropiane për Çairin.