Izraeli bombardon dy shkolla që strehonin civilë në Gaza pak minuta pas paralajmërimit për evakuim, raportohet për viktima

Dy shkolla të drejtuara nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), të cilat shërbenin si strehë për civilët, janë goditur nga bombardimet izraelite në kampin e refugjatëve Shati, në veri të Rripit të Gazës.

Lajmi është raportuar nga rrjeti Al Jazeera, i cili thekson se sulmi ndodhi pak minuta pasi ushtria izraelite kishte bërë thirrje për evakuim të menjëhershëm.

Ende nuk ka konfirmim zyrtar për numrin e saktë të viktimave, por dëshmitarë në terren flasin për të vrarë dhe të plagosur në mesin e të zhvendosurve që strehoheshin në ambientet e shkollave.

Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë bërë të ditur se mbi 250 mijë banorë të Gazës janë larguar nga qyteti për arsye sigurie. Sipas një deklarate të zëdhënësit të IDF në gjuhën arabe, Avichay Adraee, civilët po nxitohen të zhvendosen drejt zonës humanitare në Al Mawasi dhe në pjesët qendrore të Rripit të Gazës, ku “mund të përfitojnë ndihmë më të mirë humanitare, përfshirë shërbimet shëndetësore”.

“IDF është e vendosur të shkatërrojë Hamasin në Gazë dhe për këtë arsye po intensifikon ofensivën”, thuhet në njoftim.

Por në të njëjtën kohë, agjencitë ndërkombëtare paralajmërojnë për krizë humanitare në përshkallëzim dhe theksojnë se shumë civilë nuk kanë ku të shkojnë, për shkak të mungesës së sigurisë dhe kushteve minimale për mbijetesë.

Sipas raportimeve të Al Jazeera, të paktën katër palestinezë janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur nga zjarri izraelit në zonën qendrore të Wadi Gaza, ndërsa ishin në kërkim të ndihmave humanitare.