I arrestuari për krime lufte dyshohet për pjesëmarrje në vrasjen e 71 civilëve shqiptarë në Vushtrri
Një person është arrestuar të premten nën dyshimet për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë.
Ai dyshohet se ka kryer krime lufte në komunën e Vushtrrisë më 22 maj të vitit 1999 dhe ka marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve shqiptarë.
“Komuna Vushtrri 22.05.1999.Sektori për Hetimin e Krimeve të Luftës, më 12.09.2025 pas një pune operative, është ndaluar i dyshuari mashkull kosovar, i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë luftës në Kosovë 1998-1999 në komunën e Vushtrrisë”.
“Vepra penale është kryer gjatë periudhës kohore 22 maj 1999, duke vepruar në grup dhe të organizuar si zyrtar i mobilizuar me njësi të përbëra nga MUP serb, ka marrë pjesë në privimin nga jeta-vrasjen e 71 civilëve shqiptarë”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë, transmeton Klankosova.tv.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.