Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ish-diplomati amerikan James Rubin konfirmon se të hënën do të dëshmojë në Hagë
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë njoftuar se më 15 shtator 2025 do të nisë zyrtarisht dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
James Rubin, ish-diplomat dhe ish-asistent i sekretarit për Punë Publike në administratën e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, ka ka konfirmuar se javën tjetër do të japë dëshmi në Gjykatën Speciale, ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së.
Në një podcast me gazetaren e njohur, Christiane Amanour, Rubini tha: “Do të jem në Evropë, sepse javën e ardhshme do të jap dëshmi në Tribunalin Special për krime lufte në Kosovë dhe si dikush që ishte i dobishëm për Madeleine Albright-in dhe në themelimin e Tribunalit fillestar për Krime Lufte, do të kthehem në të kaluarën dhe kam më shumë për të thënë për këtë javën e ardhshme.”
Ndërkohë, një ditë para se të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve, më 14 shtator, është planifikuar të mbahet një protestë në Hagë, e organizuar nga mbështetësit e të akuzuarve.
Në Hagë po gjykohen ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Procesi ndaj tyre pritet të marrë epilog në fillim të vitit të ardhshëm, më shumë se pesë vjet nga arrestimi i tyre.
Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë tha në fillim të muajit se mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të përgatitet për të paraqitur shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti.
Në shkresën e publikuar më 2 shtator u tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar mund të kërkojë që të paraqesë prova të tjera, sikurse edhe mbrojtja të paraqesë prova si kundërpërgjigje. Por, pa paragjykuar mundësinë e kërkesave të tilla, palët duhet të përgatiten që të paraqesin përmbledhjet përfundimtare deri më 22 dhjetor.
Paneli i gjyqtarëve tha se parasheh që deri më 14 nëntor ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të përmbyllë rastin e mbrojtjes të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit./Reporteri.net/