MPJD konfirmon se Serbia ka arrestuar një qytetar të Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) ka konfirmuar se qytetari i Kosovës, Hazir Haziri, është arrestuar nga autoritetet e Serbisë më 8 shtator në pikën kufitare në Merdarë “gjatë hyrjes së tij në territorin serb me automjet privat”.

Autoritetet serbe më herët gjatë ditës pretenduan se ai është arrestuar nën dyshime për “krime lufte”.

“Menjëherë pas marrjes së informacionit për këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është angazhuar përmes kanaleve zyrtare dhe diplomatike për të siguruar informacione të sakta dhe të plota mbi ndalimin e z. Haziri”, tha MPJD-ja.

Kosova ka kërkuar zyrtarisht nga Serbia që të konfirmojë arrestimin e Hazirit dhe të sqarojë arsyet ligjore për ndalimin e tij, teksa MPJD u bëri sërish thirrje qytetarëve të Kosovës të shmangin udhëtimin përmes Serbisë.

Ministria po ashtu tha se rastin e Hazirit është njoftuar delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it.

“MPJD nënvizon nevojën urgjente për reagim nga ana e bashkësisë ndërkombëtare ndaj praktikave represive të autoriteteve serbe, të cilat bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, u tha në njoftim.

Rritja e rasteve të ndalimeve të shtetasve të Kosovës që kalojnë përmes Serbisë, sipas MPJD-së përbën “shkelje të frymës së dialogut dhe të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy palëve”.

Çfarë tha Serbia për arrestimin?
Më herët gjatë 9 shtatorit, autoritetet serbe thanë se kanë arrestuar një person në Merdarë nën dyshimin për “krime lufte” gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99.

Ministria e Brendshme e Serbisë nuk e bëri të ditur kombësinë e të dyshuarit, por e identifikoi atë me inicialet H.H, 77-vjeçar.

Sipas njoftimit të MPB-së serbe, ai dyshohet se “në qershor të vitit 1999, në Podujevë, në bashkëpunim me disa pjesëtarë të UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës], e ka vrarë me armë zjarri një civil serb”.

Autoritetet serbe thanë se ai është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe se ndaj tij do të ngrihet aktakuzë.

Arrestimi i tij vjen rreth një muaj pasi autoritetet serbe i arrestuan dy persona në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kishin kryer “krime lufte kundër popullsisë civile”.

Ata u arrestuan në periudhën kur autoritetet serbe i kanë shpeshtuar ndalimet e shqiptarëve, të cilët i akuzon se kanë bashkëpunuar apo kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, ose për arsye tjera.

Më 22 korrik ato e arrestuan Lulzim Halilin, nën dyshimet se ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Organizata e veteranëve të UÇK-së, e ka hedhur poshtë këtë pretendim.

UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

Muajin e kaluar u ndalua edhe Behar Preniqi në pikën kufitare Batrovci, në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Akuza ende nuk është bërë publike.

Autoritetet e Kosovës i kanë konsideruar gjithmonë këto arrestime si arbitrare dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare./REL