Prokuroria Themelore Publike (PTHP) Shtip pas hulumtimit të plotë të kryer dhe provave të siguruara, ngriti padi kundër shefit të suspenduar të Prokurorisë së lartë publike në Shkup, Mustafa Hajrullahu për pesë vepra penale “keqtrajtim gjatë kryerjes së shërbimit” nga neni 143, si dhe veprën penale “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga neni 353, paragrafi 1 i Kodit penal.
Siç informojnë nga PTHP-ja, i akuzuari në periudhën prej shator të vitit 2023 deri më 24.10.2024, si person zyrtar – prokuror i lartë publik i Prokurorisë së lartë publike Shkup, në hapësirat zyrtare dhe gjatë kryerjes së shërbimit nga neni 25, paragrafi 1 i Ligjit për Prokurorinë Publike, gjatë orarit të punës, kërcënoi dhe vazhdimisht kreu dhunë psikologjike ndaj pesë punonjësve gra, me qëllim që t’iu shkaktonte dhimbje shpirtërore përmes sjelljes nënçmuese.
“Duke përdorur autoritetin e tij hierarkik zyrtar, vazhdimisht kërcënoi ata në mënyrë të vrazhdë se kishte pushtet dhe mund t’i pushonte menjëherë nga puna se “do t’i godiste me shqelma”, “do t’i “hidhte nga kati i 6-të”, “do t’i fuste në paraburgim dhe nën masa të posaçme hetimore”. Një pjesë i ka ofenduar se “ja kanë neveritur prokurorinë” dhe iu ka ndaluar të komunikojnë mes vete dhe punonjësve të tjerë. Të dëmtuarat, të pamundur të durojnë kërcënimet dhe dhunën psikologjike me sjellje nënçmuese nga ana e të akuzuarit i janë drejtuar me shkrim Prokurorisë publike të RMV-së, deri tek këshilli i Prokurorëve publikë të RMV-së dhe deri tek Prokuroria Themelore Publike në Shkup, me kërkesë për të ndërmarrë masa urgjente në lidhje me veprimet e të akuzuarit dhe për mbrojtjen e tij”, kumtoi PTHP-ja.
Pasi i akuzuari mësoi për shkresën e të dëmtuarve, theksohet në kumtesë, i thirri ato privatisht, secilën individualisht, në zyrën e tij, ku vazhdoi dhunën psikologjike duke i detyruar të shkruanin deklarata me shkrim ku deklaronin se ishin manipuluar. Pastaj, i kërcënoi se do të ngrinte padi për shpifje kundër tyre, duke kërkuar 100.000 euro dëmshpërblim duke u thënë atyre se mund të ndikonte te të gjithë gjyqtarët dhe avokatët, se ata kishin fëmijë për të cilët të mendonin dhe se do të humbnin vendet e tyre të punës në prokurori.
Hajrullahu pas vendimit për suspendimin e tij, paralajmëroi se do të paraqesë ankesë deri tek Këshilli i prokurorëve publikë dhe deklaroi se arsyeja e vetme për ndjekjen penale kundër tij ishte procedura për bonuset për të angazhuarit në ish Prokurorinë speciale publike.