Ramadani: Menaxhimin e Komunës së Sarajit do ta bazoj në rezultate konkrete

Kandidati për kryetar të Komunës së Sarajit nga AKI, Blerant Ramadani në një intervistë dhënë për Zyrtare.net, foli për vizionin e tij mbi mënyrën se si e sheh menaxhimin e pushtetit lokal, duke theksuar se përvoja e tij akademike dhe profesionale do të reflektohet drejtpërdrejt në punën komunale.

“Unë vij nga fusha e inxhinierisë dhe jam ligjërues në universitet. Vendimmarrjet i bazoj në fakte dhe projekte, prandaj edhe veprimtarinë time si menaxher i ardhshëm i Komunës së Sarajit do ta mbështes në pragmatizëm dhe rezultate konkrete,” u shpreh Ramadani.

Ai shtoi se përvoja ndërkombëtare që ka fituar gjatë viteve do të vihet në shërbim të Sarajit, duke synuar standarde më të larta në shërbimet publike, infrastrukturë dhe arsim. Ramadani theksoi gjithashtu rëndësinë e transparencës dhe komunikimit të hapur me qytetarët, duke e konsideruar komunën si “shtëpinë e përbashkët të të gjithëve”, tha Ramadani.