Bujar Osmani nga Gazi Baba: Vij me mëngët përveshur, çdo mëngjes do të jem në rrugët e Çairit

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sonte zhvilloi takim me banorët e lagjes Gazi Baba, ku dërgoi një mesazh të fuqishëm për disiplinë, përkushtim dhe qasje të drejtpërdrejtë në terren për menaxhimin e komunës.

“Vij me mëngët përveshur dhe premtoj disiplinë pune – ashtu siç kam punuar gjatë gjithë jetës sime”, deklaroi Osmani, duke theksuar se profesioni i tij si kirurg e ka mësuar në përkushtim dhe përgjegjësi pa kompromis.

“Gjëja e parë që mëson një kirurg është disiplina e punës. Të kalosh shumë net pa gjumë për t’u shërbyer njerëzve”, tha Osmani, duke shtuar se pikërisht këtë parim do ta zbatojë edhe si kryetar i ardhshëm i komunës.

Ai paralajmëroi një plan konkret për kontroll të përditshëm në terren:
“Çdo ditë nga ora 5 e gjysmë deri në 7 e gjysmë të mëngjesit do të eci në këmbë në çdo rrugë të Çairit, aq i madh është Çairi, 3.5 kilometra. Në 7 e gjysmë do t’i thërras shërbimet komunale dhe do t’u jap detyra konkrete ku ka gropë, ku mungon drita, ku duhet pastrim. Ky është i vetmi mënyrë për të udhëhequr një komunë me sytë hapur dhe me zemër për njerëzit.”

Sipas Osmanit, qytetarët nuk presin mrekulli, por vëmendje, kujdes dhe punë.
“Çairi nuk kërkon shumë. Njerëzit nuk presin mrekulli. Ata presin dikë që të zgjohet herët dhe të dëgjojë hallet e tyre, hap pas hapi, me disiplinë dhe këmbëngulje. Dhe këtë jua premtoj.”

Në fjalimin e tij, Osmani dha edhe një zotim personal të fuqishëm për një ambient më të shëndetshëm në Çair:
“Nuk dua që fëmijët e mi, as fëmijët tuaj, të rriten në pluhurin e komunës më të ndotur në Shkup. Deri në fund të mandatit, Çairi do të bëhet komuna më e pastër, ose unë nuk do të jem kryetar komune.”

Ai theksoi se qëllimi i tij është të kthejë përvojën dhe dijen që ka fituar në diplomacinë dhe institucionet ndërkombëtare, përsëri në komunën ku jeton dhe ku rriten fëmijët e tij.