Pasi e rrahën shqipatrin në Manastir, flasin “Çkembarat”, reagon BDI: Huliganizmi dhe urrejtja po ushqehen nga pushteti
Sulmi i turpshëm në Manastir ndaj një qytetari shqiptar me shtetësi suedeze, vetëm pse mbante një bluzë me shqiponjë, dhe deklaratat skandaloze të një grupi tifozësh të quajtur “Çkembari” që fyejnë flamurin tonë kombëtar, janë dëshmi e qartë se nacionalizmi dhe urrejtja ndëretnike po ushqehen përditë nga partitë në pushtet dhe nga vetë kreu shtetëror.
Kur në stadiume dhe tribuna publike, në praninë e udhëheqësve të shtetit, dëgjohen thirrje urrejtjeje dhe askush nuk mban përgjegjësi penale; kur përfaqësuesit më të lartë të pushtetit tallen duke thënë se “nuk kanë dëgjuar” ato thirrje, atëherë nuk bëhet më fjalë për incidente të izoluara, por për një klimë të qëllimshme nxitjeje dhe relativizimi të urrejtjes e cila nuk po ndalon.
BDI thekson se kjo qasje është në kundërshtim flagrant me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe me vlerat mbi të cilat ndërtohet bashkëjetesa. Sulmet mbi baza etnike dhe fushatat e urrejtjes nuk lindin vetvetiu, ato burojnë nga politika që e sheh kolltukun para barazisë dhe që mbron huliganët në vend që t’i ndëshkojë.
Ne kërkojmë masa urgjente dhe të pakompromis:
• Prokuroria të hapë procedura për nxitje të urrejtjes ndëretnike;
• MPB të identifikojë dhe ndëshkojë autorët e sulmit;
• Kreu i shtetit dhe partitë në pushtet të ndalin diskursin që legjitimon urrejtjen dhe diskriminimin.
Flamuri shqiptar nuk është provokim, ai është i institucionalizuar, është simbol i një kombi të tërë dhe kushdo që e përdhos duhet të japë llogari para drejtësisë. Heshtja dhe vonesa janë bashkëfajësi.
Shteti nuk mund të ndërtohet mbi urrejtje, por mbi barazi dhe respekt të ndërsjellë.