Operacioni “Fortesa” në Tiranë: Sekuestrohen pasuri 26.5 milionë euro të një të dënuari për vrasje e trafik droge

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Fortesa”, duke sekuestruar pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme me vlerë rreth 26 milionë e 500 mijë euro, në pronësi të një 45-vjeçari të dënuar më parë për vrasje dhe trafik droge.

Sipas njoftimit, operacioni është kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në kuadër të një procedimi penal të drejtuar nga Prokuroria e Tiranës.

Në bazë të vendimit të Gjykatës së Tiranës, janë sekuestruar:
• 19 prona,
• 2 automjete,
• 20 llogari bankare,

të regjistruara në emër të shtetasit K. K., alias O. M., 45 vjeç, ose në emër të familjarëve të tij.

I njëjti është dënuar nga autoritetet italiane për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Policia njofton se vijon puna për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal i këtij shtetasi.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.