Behgjet Pacolli kërkon rishikimin e qëndrimit të Kosovës ndaj Ukrainës: Ne po i ndihmojmë, ata kanë kthyer shqiptarët në kufi! I quajtën dhe terroristë

Ish-presidenti i Kosovës dhe miliarderi Behgjet Pacolli, ka kërkuar nga autoritetet e vendit të tij që të rishikojnë qëndrimin për Ukrainën. Kosova është një ndër shtetet që është solidarizuar me luftën në Ukrainë dhe ka dërguar ndihma për luftën, por duket se këtu nuk ka reciprocitet.

Pacolli shkruan se dje, Ukraina ka kthyer shqiptarët e Kosovës në pikën kufitare me Moldavinë dhe jo vetëm kaq, por i ka ofenduar dhe i ka cilësuar si terroristë.

Ish-presidenti kujton se ky nuk është rasti i parë sepse para disa vitesh, e njëjta Ukrainë veproi në mënyrë skandaloze me ekipin kombëtar të futbollit të Kosovës, duke i detyruar futbollistët të udhëtonin në Gjeorgji për të zhvilluar ndeshjen.

“Ka dhjetëra shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por pothuajse të gjitha u lejojnë qytetarëve tanë hyrjen me pasaportë kosovare. Sot, Ukraina ka kthyer shtetasit e Kosovës në pikën kufitare me Moldavinë – jo vetëm që i ka refuzuar, por i ka ofenduar dhe maltretuar, madje duke i quajtur “terroristë”.

Ky nuk është rasti i parë: para disa vitesh, e njëjta Ukrainë veproi në mënyrë skandaloze me ekipin tonë kombëtar të futbollit, të cilët u detyruan të udhëtonin në Gjeorgji për të zhvilluar ndeshjen.

Ne këtu në Kosovë vazhdojmë të tregojmë solidaritet dhe dhimbje për ta – ndërkohë që ata na poshtërojnë. A nuk është koha të rishqyrtojmë qëndrimet tona ndaj atyre që nuk na respektojnë as dinjitetin më minimal?”, shkruan Behgjet Pacolli.