BDI: Qytetarët e Tetovës nuk kanë stadium, por kanë një kryetar që i ka mashtruar dhe vazhdon t’i mashtrojë
Njomza Fetai nga BDI ka dalë me një konferencë për media ku ka adresuar kritika ndaj kryetarit aktual të Tetovës, Bilall Kasami.
“Në këtë konferencë për shtyp do të denoncojmë mashtrimin e madh që i është bërë Tetovës – farsa e Bilall Kasamit me ndërtimin e stadiumit të qytetit. Kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, vitin e kaluar, në prag të zgjedhjeve parlamentare, në një shfaqje të turpshme me një eskavator e goditi tribunën e tifozëve në stadiumin e Tetovës, kinse duke filluar punimet për ndërtimin e stadiumit të ri. Sot, pas më shumë se një vit nga ajo skenë e turpshme, ajo pjesë e tribunës mbeti e prishur, punimet janë ndaluar dhe asgjë nuk është bërë. Asnjë gur nuk është lëvizur. Stadiumi nuk u bë realitet për qytetitin.
Tani, kur afrohen zgjedhjet lokale, Kasami po përdor sërish të njëjtën shfaqje mashtrimi. Pa asnjë punë konkrete, ai shfaqet me deklarata propagandistike duke e fryer inteligjencën e qytetarëve të Tetovës me premtimet e njëjta boshe, sikur para një viti. Një vit më parë e shkatërroi tribunën e tifozëve, ndërsa sot në vend që të ndërtoj, ai vazhdon të shes iluzione dhe mashtrime.
Ky nuk është vetëm mashtrim, por është tallje me inteligjencën e tetovarëve dhe abuzim me ndjenjat e mijëra tifozëve të Shkëndijës, të cilët prej vitesh presin një stadium të denjë për klubin dhe qytetin e tyre.
Tetova është lodhur nga gënjeshtrat, është lodhur nga skenat propagandistike dhe është lodhur nga një kryetar që, në vend që të ndërtojë, shkatërron, e më pas shfaqet si shpëtimtar.
I bëjmë thirrje Bilall Kasamit, të cilit i kanë mbetur edhe disa ditë në krye të komunës së Tetovës, që të jep përgjegjësi për premtimet e parealizuara që i kujtohen vetëm kur ka zgjedhje dhe për bllokimin e fondeve për ndërtimin e stadiumit në Kuvend, nga VLEN dhe partnerët e tyre në Qeveri.
Qytetarët e Tetovës nuk kanë stadium, por kanë një kryetar që i ka mashtruar dhe vazhdon t’i mashtrojë. Tetova meriton një kryetar që ndërton, jo një kryetar që gënjen.
”, tha mes tjerash Fetai.