Xhaferi: Minus 8 këshilltarë, Gostivari padrejtësisht sakatohet!

Gostivarit sot po i priten duart dhe këmbët me vendimin antikushtetues e antiligjor të qeverisë monoetnike VMRO–LEN, që mohon mbi 30.000 gostivaras në mërgim, që janë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik e shoqëror të qytetit tonë. Kështu shkruan kryetari i Degës së BDI-së në Gostivar, njëherësh bartës i Listës së Këshilltarëve i Aleancës Kombëtare për Integrim në Gostivar.

Reagimi i plotë i Valdet Xhaferit:

Gostivarit sot po i priten duart dhe këmbët me vendimin antikushtetues e antiligjor të qeverisë monoetnike VMRO–LEN, që mohon mbi 30.000 gostivaras në mërgim, që janë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik e shoqëror të qytetit tonë. Vendimi i sjellë sot nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në kundërshtim flagrant me çdo normë kushtetuese, ligjore dhe njerëzore, është i papranueshëm dhe i dëmshëm për qytetin tonë.

Vendim i marrë njëanshëm duke anashkaluar votën dhe zërin e anëtarit shqiptar të KSHZ-së, Gostivarin do ta godet me pasoja të parikuperueshme në aspekt ekonomik, shoqëror dhe institucional. Ky akt i paligjshëm jo vetëm që zvogëlon numrin e këshilltarëve nga 31 në 23, por është edhe thellësisht diskriminues pasi nuk llogarit si banor rezident mbi 30.000 gostivaras që janë me punë të përkohshme në diaspor!

Ta mohosh mërgatën do të thotë të sakatosësh të ardhmen e qytetit! Ky vendim i padrejtë është antikombëtar, antikushtetues dhe jodemokratik.

Kërkojmë me urgjencë që institucionet gjyqësore kompetente ta rrëzojnë këtë vendim, duke rikthyer drejtësinë dhe respektin për vullnetin e qytetarëve të Gostivarit, pa diskriminim dhe pa shtypje të zërit të tyre!