Mickoski: Po punohet intensivisht për ndërtimin e kopshtit të ri për fëmijë në Kisella Vodë, me kapacitet për 70 fëmijë
Kënaqësia është e madhe kur sheh se punët ecin përpara, sidomos kur bëhet fjalë për më të vegjlit tanë, për fëmijët. Për disa javë nga sot ky objekt do të jetë plotësisht funksional dhe në vitet në vijim pritet të jetë shtëpi për 70 fëmijë. Në këtë drejtim do të vazhdojmë edhe në periudhën që vijon.
Trashëguam, do të thoja, një gjendje mjaft kaotike dhe katastrofale. Për një pjesë të problemeve të trashëguara folën edhe kryetari i komunës edhe zëvendësministri në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Por ngadalë, por sigurt, këto sfida tejkalohen, sidomos kur bëhet fjalë për listat e pritjes për fëmijët, por edhe për kuadrin që duhet të punojë me fëmijët në kopshte.
Prandaj, prioriteti ynë kryesor do të mbetet pikërisht ky, ndërtimi i infrastrukturës, për arsyen e thjeshtë se demografia është një nga sfidat më të mëdha që kjo Qeveri do të duhet t’i përballojë në vitet që vijnë. Sepse demografia nënkupton se çfarë të ardhme do të kemi, nëse do të kemi një të ardhme me shumë fëmijë, apo një të ardhme ku, për fat të keq edhe vetë kombi do të vihet në pikëpyetje.
Një nga parametrat në këtë ekuacion është pikërisht sigurimi i kapaciteteve të mjaftueshme për akomodimin e fëmijëve, sepse pjesa më e madhe e të rinjve, kur i pyet pse nuk vendosin të krijojnë familje ose familje me shumë fëmijë, si përgjigje japin se shkaktare janë listat e pritjes në kopshte.
Prandaj, ja ne si Qeveri do të punojmë që të mos ketë lista pritjeje, të ketë më shumë kapacitete të tilla për më shumë fëmijë. Kjo është politika themelore dhe thelbësore e kësaj Qeverie.
Në fund, do të doja t’i uroj kryetarit të Komunës së Kisella Vodës për punën e përkushtuar gjatë këtyre pothuajse katër viteve. E dëgjuat sa objekte janë realizuar dhe se si lista e pritjes me mbi 400 fëmijë tani është reduktuar në zero, nuk do të ketë më të tillë. Dua të falënderoj për përkushtimin deputeten, anëtarët e Këshillit, administratën brenda Komunës së Kisella Vodës, të gjithë ata që kontribuuan që kjo komunë të funksionojë, do të thoja, në mënyrë të shkëlqyer.
Gjithashtu dua të falënderoj zëvendësministrin në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ministrin dhe të gjithë ata që punuan pa u lodhur gjatë këtyre gati 14 muajve për të tejkaluar sfidat e trashëguara nga e kaluara dhe pres që kështu të vazhdojnë edhe në vitet që do të vijnë. Të realizojmë edhe shumë projekte të tilla.
Ja kjo është ajo që kisha për të thënë dhe së shpejti ky kopsht, ky objekt do të vihet në funksion. Këtë ia uroj drejtoreshës dhe të gjithë atyre që do ta kalojnë ditën këtu në këtë objekt.