Kryetarja e Këshillit për Etikë në SHGM, Nora Kaliqi në mbështetje të TS: Marrja në bisedë informative e një gazetari duhet të dënohet si praktikë
Kryetarja e Këshillit për Etikë në SHGM, Nora Kaliqi ka mbështetur punën e gazetarit Nevrij Ademit pas thirrjes në bisedë inforamtive nga policia e Tetovës.
“Liria e shprehjes është e drejtë e garantuar me Konventën Ndërkombëtare dhe me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ekzistojnë mekanizma të ndryshëm ligjorë, si dhe struktura profesionale e organizata esnafe gazetareske, që mund të përdoren për adresimin e shkeljeve etike dhe profesionale.
Megjithatë, çdo tentativë për të heshtur zërin e gazetarit, duke përdorur fuqinë e pozitës, paraqet formë të qartë të SLAPP-it dhe është e papranueshme për proceset demokratike dhe për gazetarinë e lirë. Dhuna, frikësimi, apo ngulfatja e shprehjes së lirë nuk mund të kenë vend në një shoqëri demokratike.
Pavarësisht nëse pajtohemi apo jo me mendimin e tjetrit, rruga ligjore dhe mekanizmat e krijuar pikërisht për këtë qëllim janë instrumentet e duhura për të rregulluar hapësirën mediatike. Marrja në bisedë informative e një gazetari duhet të dënohet si praktikë, sepse dëmton jo vetëm individin, por edhe të drejtën e publikut për të qenë i informuar.
Në të njëjtën kohë, apelojmë për respektim të standardeve profesionale dhe normave etike: gazetari duhet të jetë i diferencuar nga roli i zëdhënësit dhe i distancuar nga politika. Vetëm kështu profesioni i gazetarit mund ta ruajë integritetin dhe besueshmërinë e tij” thuhet në reagimin e Nora Kaliqiti, kryetare e Këshillit për Etikë në SHGM