Ambasadori i ri i BE-së në Serbi dënon dhunën në protesta dhe bën thirrje për hetim mbi përdorimin e tepërt të forcës nga policia

Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, njoftoi sot se pati një takim të parë konstruktiv me kryeministrin serb Đuro Macut, duke shtuar se Unioni “dënon dhunën dhe bën thirrje për një qetësim të menjëhershëm të situatës” dhe se “liria e shprehjes, liria e tubimit paqësor dhe liria e medias duhet të respektohen”.

Von Beckerath shkroi në profilin e tij X se “Bashkimi Evropian po e monitoron nga afër situatën – edhe në kontekstin e negociatave me Serbinë për anëtarësim në BE”, raporton H1 .

“Ne e dënojmë dhunën dhe bëjmë thirrje për një qetësim të menjëhershëm të situatës. Liria e shprehjes, liria e tubimit paqësor dhe liria e medias duhet të respektohen”, shtoi ai.

Ai shkroi gjithashtu se “veprimet e policisë duhet të mbeten proporcionale” dhe se “përdorimi i tepërt i forcës duhet të hetohet, duke përfshirë kërcënimet dhe dhunën ndaj gazetarëve”.

“Rruga drejt Bashkimit Evropian ofron zgjidhje për shumë nga sfidat me të cilat përballet Serbia”, shkroi Beckerath.

Kryeministri serb Đuro Macut, nga ana tjetër, më parë “përshëndeti qasjen proaktive të ambasadorit që nga dita e parë e mandatit të tij dhe deklaratat e tij të balancuara mbi situatën aktuale në Serbi, veçanërisht dënimin e të gjitha llojeve të dhunës, përfshirë sulmet ndaj lokaleve të partive politike”, njoftoi qeveria.