“Vëllai u vra, djali im mban emrin e tij”, rrëfimi i ish-futbollistit të Milanit, Kaladze: Në Itali më dhanë forcë, familja ime do shkatërrohej nëse…
Ish-lojtari kuqezi sot është kryetar bashkie i Tbilisit, kryeqytetit të Gjeorgjisë së tij: “Më jep të njëjtën gëzim si kur fitoja Champions-in me Milanin”. Dhe për djalin Levan: “Më ngjan shumë, mund të bëhet më i fortë se unë”.
Ish-kampion i Europës me Milanin e Ancelottit, kryetar bashkie i një kryeqyteti, Tbilisi, që në zgjedhjet e tetorit kandidon për mandatin e tretë radhazi, baba i një futbollisti që i ngjan dhe që mban emrin (Levan) e vëllait të tij, i rrëmbyer në vitin 2002 dhe i gjetur i vdekur disa vite më vonë. Të intervistosh Kakhaber Kaladzen është e lehtë: ka aq shumë gjëra, të mira e të këqija, për të treguar, saqë pothuajse nuk duhen pyetje. Mjafton ta dëgjosh.
Kaladze, le të fillojmë nga djali juaj që në fund të korrikut, në moshën 16-vjeçare, debutoi te profesionistët.
Jam krenar dhe i lumtur sepse ai e do futbollin dhe e priste këtë moment. Do të shohim çfarë do t’i rezervojë e ardhmja, por dëshirën për t’u bërë futbollist e ka: duhet të punojë dhe të angazhohet maksimalisht nëse do t’ia dalë”.
Mbiemri i rëndë që mban do ta ndihmojë apo do të jetë pengesë?
“Nuk e di. Sigurisht që të gjithë do të presin shumë prej tij. Nga ana tjetër, do të ketë ndihmën e një babai që si lojtar ka kaluar vite në botën e futbollit. Për më tepër, bëja të njëjtin rol si ai, qendërmbrojtës i majtë dhe mbrojtës i majtë anësor. Mund t’i jap ndonjë këshillë”.
Sa ju ngjan?
“Shumë, sepse fizikisht është shumë i madh, një metër e nëntëdhjetë në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç. Teknikisht me këmbën e majtë është i mirë, por mund dhe duhet të përmirësohet. Shpresoj të bëhet edhe më i fortë se unë: e di që nuk është e lehtë, por nëse jep sakrificë dhe përkushtim, karakter dhe vullnet për të bërë, me pak fat, mund të arrijë në majë”.
Kur lindi, në vitin 2009, i vutë emrin e vëllait tuaj që ishte rrëmbyer dhe më pas vrarë.
“Ajo që i ndodhi vëllait tim ishte diçka e tmerrshme: bëri që familja ime të vuante jashtëzakonisht dhe shkatërroi vitin tim të parë te Milani. Lajmi për rrëmbimin e tij (në vitin 2001) dhe më pas për vdekjen e tij (e konfirmuar në vitin 2006) ishin dhimbje që do t’i mbaj brenda gjithë jetën. Nuk arrij të gjej qetësi për atë që i ndodhi vëllait tim”.
Si arritët të ecni përpara?
“Nuk e di ku gjeta forcën, por më ndihmoi shumë të isha te Milani dhe të kisha pranë një grup djemsh të jashtëzakonshëm. Përveç kësaj, nga natyra jam i fortë dhe e dija se nëse do të rrëzohesha unë, familja ime do të shkatërrohej. Eca përpara dhe e kapërcyem këtë dramë. Fakti që djali im mban emrin e vëllait tim bën që kujtimi i tij të jetojë edhe më shumë brenda meje”.
Me gjithë angazhimet tuaja si kryetar bashkie i Tbilisit, arrini ta ndiqni karrierën e djalit tuaj?
“Koha gjendet, edhe pse të qeverisësh kryeqytetin e vendit tim, një qytet me një milion e gjysmë banorë, është e ndërlikuar. Në futboll, si në politikë, një njeri i vetëm nuk mund të bëjë asgjë. As nëse është Ronaldo… Duhet një skuadër e madhe njerëzish që punon me ty dhe, në këtë aspekt, kam qenë me fat. Kjo është arsyeja pse vendosa të kandidoj për mandatin e tretë në zgjedhjet e 4 tetorit dhe jam i bindur se do ta fitoj edhe këtë betejë: me partinë tonë, Ëndrra Gjeorgjiane, duam ta zhvillojmë kryeqytetin tonë dhe vendin tonë”.
Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, që zgjat prej më shumë se tre vitesh, si shihet nga afër, nga Gjeorgjia juaj?
“Situata në rajonin tonë është shqetësuese, por më në përgjithësi më shqetëson ajo që po ndodh në botë, të gjitha konfliktet e tjera që sjellin vdekje dhe shkatërrim. Ne si Gjeorgji jemi pjesë e Europës dhe po bëjmë çmos që lufta të përfundojë”.
Në Tbilisi ndihmoni ukrainasit që kanë ikur nga vendi i tyre.
“Disa kanë ardhur dhe kanë mbetur këtu, të tjerë janë në qytetet përreth. Jetojnë një situatë të tmerrshme: disa kanë humbur familjarët, shtëpinë dhe gjithçka që kishin. Shpresoj që lufta të mbarojë shpejt”.
Ishte më rehat si mbrojtës apo tani si kryetar bashkie?
(Qesh) “Të jesh kryetar bashkie është një angazhim i rëndësishëm: përgjegjësitë janë të shumta, por kur arrij të bëj gjëra të bukura për qytetin dhe banorët janë të kënaqur, ndiej një gëzim të madh si kur fitoja me Milanin”.
Çfarë mesazhi dëshironi t’i jepni Franco Baresit që po kalon një moment të vështirë shëndetësor?
Ma kanë thënë dhe shpresoj që Franco të shërohet shpejt. Jam pranë tij dhe e dua shumë”.
Me djemtë e Milanit tuaj jeni ende në kontakt nëpërmjet Ëhatsapp.
“Ishim një grup i jashtëzakonshëm dhe kemi mbetur miq me kalimin e kohës. Të luaja në atë Milan për mua ishte një krenari dhe kënaqësi e jashtëzakonshme. Falë presidentit Berlusconi, Gallianit dhe Braidës ishte formuar një familje dhe ne duhej të mendonim vetëm për të luajtur: për gjithçka që ndodhte jashtë fushës, ata ishin aty. Më ndihmuan edhe me çështjen e vëllait tim. Milani për mua do të jetë gjithmonë një shtëpi e dytë, jo vetëm një klub me një histori të jashtëzakonshme”.
Nëse ju kërkojmë një kujtim nga vitet kuqezi, zgjidhni Champions-in e parë apo të dytin të fituar?
“I dyti na lejoi të hakmerreshim për humbjen e Stambollit kundër Liverpool-it, por i pari ishte diçka e jashtëzakonshme sepse në grup kishte disa të rinj që nuk kishin provuar kurrë një emocion të tillë. Të mundje Juven në Manchester ishte diçka unike dhe një pjesë e madhe e meritës ishte e Ancelottit, një person i veçantë”.
Tani në stolin e Milanit është Allegri
“Allegri është një fitues dhe Modric një futbollist i klasit botëror. Milanit i uroj të kthehet në Champions, që është shtëpia e tij, dhe pastaj të fitojë sërish. Edhe pse jam larg, unë do të jem gjithmonë milanist”.