Bujar Osmani nga shkolla “7 Marsi” në Çair: “Kjo shkollë më bëri mua, tani është koha të bëj unë për të”
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, ka shpërndarë një video material në rrjetin social Facebook, duke u ndalur para shkollës fillore “7 Marsi” në Çair – institucionin ku ai kaloi katër nga vitet më formuese të fëmijërisë së tij, nga klasa e katërt deri në klasën e tetë.
Osmani rikujtoi përvojën e tij si nxënës në këtë shkollë, duke theksuar rëndësinë që ajo ka pasur në formimin e karakterit të tij dhe në rrugën drejt edukimit dhe suksesit. Ai u shpreh:
“Katër vitet më formuese të jetës i kalova në këtë shkollë, 7 Marsi, nga e katërta deri në klasën e tetë. Vitet kur mësova të kërkoj më shumë nga vetja, ku mësova të respektoj mësuesit që na mbanin gjallë kurreshtjen.”
Megjithatë, sipas Osmanit, gjendja aktuale e kësaj shkolle lë shumë për të dëshiruar. Ai evidentoi disa nga problemet me të cilat përballet ky institucion arsimor:
“Mbi 10 vite me xhiro llogari të bllokuara për shkak të borxheve,
Nyjet sanitare që renovohen nga vetë prindërit pas kërcënimeve për bojkot,
Mungesë bazike mjetesh mësimore, ku fëmijët detyrohen të huazojnë shkumësa nga shkolla të tjera.
“Fëmijët nuk kanë faj, ne të rriturit ua kemi borxh,”, theksoi Osmani.
Kandidati nga Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim premtoi se nëse merr besimin e qytetarëve, dita e parë e mandatit të tij si kryetar komune do të nisë pikërisht nga shkolla “7 Marsi”.
“Kjo shkollë më bëri mua, tani është koha të bëj unë për të,”, shtoi Osmani.