Ali Ahmeti: VMRO-ja nuk ka qasje shtetformuese

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka vlerësuar lart angazhimin e ish-ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në krye të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), gjatë një fjalimi para pjesëmarrësve të Akademisë Politike të BDI-së, informon PressOnline.al

Ahmeti u shpreh se Osmani ka udhëheq një mision tepër të rëndësishëm ndërkombëtar, në një moment kur OSBE-ja po përballet me sfida ekzistenciale.

Sipas tij, angazhimi i Osmanit në krye të OSBE-së ishte përpjekje për ta shpëtuar organizatën nga “arkivoli” dhe për ta rikthyer në funksionim të plotë.

Kreu i BDI-së theksoi se Osmani ka arritur të ndërmjetësojë mes dy superfuqive botërore – SHBA-së dhe Rusisë – në një kontekst gjeopolitik të ndërlikuar, gjë që sipas tij nuk është aspak e lehtë.

Ai përmendi gjithashtu vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme si një dëshmi e suksesit të diplomacisë së udhëhequr nga Osmani.

“Ka ndërmjetësuar mes dy superfuqive të mëdha – kjo nuk ka qenë aspak e lehtë. Kjo është një sakrificë e vërtetë që Bujari e ka bërë,” u shpreh Ahmeti, përcjell PressOnline.al

Lideri i BDI-së gjithashtu vuri theksin në nevojën për zhvillim të komunës së Çairit sipas standardeve evropiane, duke thënë se Bujar Osmani nuk e dëshiron Çairin si një shembull të keq urbanistik në Republikë, por si një model të ndërtuar me kulturë shqiptare dhe standarde moderne.

Ahmeti kritikoi edhe partinë më të madhe maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE, duke theksuar se nuk ka një qasje shtetformuese dhe nuk ofron vizion për të ardhmen.(PressOnline.al)