“Parlamenti nuk e ka kryer detyrën për monitorimin e zbatimit të ligjit për Gjykatën Speciale”, Limaj pas protestës së veteranëve
Kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka marrë pjesë në protestën e veteranëve të UÇK-së kundër siç thonë ata padrejtësisë në Hagë ndaj ish-krerëve të luftës.
Limaj ka thënë se Kosova kërkon vetëm drejtësi dhe asgjë më shumë.
Ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës Parlamenti nuk e ka kryer detyrën e vet për monitorimin e zbatimit të ligjit për Gjykatën Speciale.
“Kosova kërkon drejtësi dhe nuk kerkojne asgje me shumë se të vërtetën dhe barazi para ligjit!Fatkeqësisht, Parlamenti nuk e ka kryer detyrën e vet për monitorimin e zbatimit të ligjit për Gjykatën Speciale. Para pesë vitesh, u kam propozuar grupeve parlamentare që Parlamenti i Kosovës të shfrytëzojë mundësinë për të kontaktuar institute të pavarura dhe të specializuara, të cilat ofrojnë monitorim profesional”.
“Këto institute, të njohura në fushën e drejtësisë ndërkombëtare, kanë përvojë të jashtëzakonshme në raste të ngjashme që janë monitoruar më parë në Hagë. Një institut i monitoruar nga Parlamenti do ta kishte rritur besueshmërinë dhe transparencën e punës së Gjykatës dhe do të ndihmonte në parandalimin e shkeljeve të të drejtave të të akuzuarve atje. Si atëherë, ashtu edhe sot, besoj se kjo ka qenë dhe mbetet rruga e vetme përmes së cilës një shtet serioz angazhohet me përgjegjësi në mbrojtjen e të drejtave të veta, të cilat rrezikojnë të përmbyten. Liri për çlirimtarët – Lavdi UÇK-së”, ka thënë Limaj.