Të mbuluara me flamurin kuq e zi, “Blick” shkruan për kolonën e veturave luksoze me targa të Zvicrës në një dasmë në Kosovë
Tradita e dasmave në Kosovë ka rënë në sy edhe të mediave zvicerane. Gazeta Blick ka raportuar për një dasmë në vend dhe autokolonën e gjatë të makinave sportive, shumica prej tyre me targa zvicerane.
Në pamjet e publikuara shihen veturat e mbuluara me flamurin kombëtar.
“Flamuri shqiptar me shqiponjën e tij dykrenare shkëlqen i kuq në kapotat e tyre. Dhjetëra BMW, Ferrari dhe Lamborghini me fuqi të lartë parakalojnë nëpër një qytet në Kosovë”, shkruan Blick, duke përshkruar skenën që u filmua nga një ballkon dhe u publikua në rrjetin TikTok nga përdoruesi “leaard9”.
Lexo edhe:
Shtetasi i huaj në Prishtinë raporton në polici se persona të panjohur e rrëmbyen, e rrahën dhe e kërcënuan
Operacioni në Ujman, Ambasada britanike vlerëson koordinimin mes KFOR-it dhe FSK-së
Bizneset paralajmërojnë veprime të ashpra nëse ZRRE nuk tërhiqet nga vendimi për tregun e lirë energjetik
Në videon që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale, automjetet luksoze lëvizin nën tingujt e një kënge festive. “Ja si e merr nusen”, shkruhet në mbishkrimin e postimit. Blick raporton se vetë përdoruesi i TikTok-ut ka konfirmuar se bëhej fjalë për dasmën e kushëririt të tij.
“Në një parking përpara një vile të madhe, makinat kryesisht luksoze po filmohen nga afër. Disa njerëz i admirojnë makinat dhe kapin momentin e jashtëzakonshëm me telefonat e tyre celularë”, vijon përshkrimi i Blick.
Gazeta zvicerane thekson se autori i postimit shfaqet në rrjet si një tifoz i pasionuar i makinave, veçanërisht i markës BMW, të cilën e prezanton rregullisht në përmbajtjet e tij. “Sa më shumë kuaj fuqi, aq më mirë, duket të jetë motoja e tij”, shkruan Blick.
Komentet në rrjetet sociale janë kryesisht pozitive dhe përplot entuziazëm. “Nëse burri im dhe familja e tij nuk më marrin kështu, nuk e dua”, citohet një koment nga një përdoruese. Një tjetër shton: “Lamborghini, Ferrari dhe targa zvicerane! Kështu e bëjmë ne.”
Megjithatë, Blick thekson se nuk mungojnë as komentet kritike, që e shohin këtë si ekzagjerim. Një koment ironik i cituar nga gazeta thotë: “Ata mund të pinë birrë zvicerane dhe të kërkojnë një nuse.”