U vunë në pranga pas dyshimeve për ndërtimin e një impianti gazi në hapësirë publike, lirohen drejtori dhe inxhinieri i kompanisë

Janë lënë të lirë me vendim të prokurores Esmeralda Basho, drejtori teknik i kompanisë “Delvina Gas”, Luan Metaj, dhe inxhinieri Elton Malkaj, të cilët u arrestuan një ditë më parë nga policia nën akuzën e ndërtimit të një impianti gazi pa leje në pronë publike.

Sipas njoftimit zyrtar që policia e Vlorës bëri dje thuhet se, ‘gjatë kontrollit të ushtruar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me IKMT dhe Inspektoratin e Mjedisit, u konstatua ndërtimi i një impianti gazi në territor publik, pa leje ndërtimi dhe zhvillimi të miratuar nga autoritetet përkatëse.

Në përfundim të kontrolleve, u arrestuan në flagrancë Luan Metaj dhe Elton Malkaj, të dy të dyshuar për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Pushtim i tokës”. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim pronari i kompanisë, S. M., 56 vjeç, dhe administratori Jugelard Ibrahimi, 36 vjeç, për të njëjtat akuza’.

Nga ana e IKMT-së është bërë bllokimi i punimeve dhe është mbajtur procesverbal për konstatimin e kundërvajtjes.

Megjithatë, kompania “Delvina Gas Company” ka mohuar akuzat. Në një reagim për mediat, avokatët e kompanisë sqarojnë se objekti në fjalë nuk është një impiant prodhimi energjie (TEC), por një impant pastrimi, pjesë integruese e pusit të gazit në vendburimin e Delvinës.

Sipas kompanisë, ky impiant është ndërtuar që prej tre vitesh dhe aktualisht ndodhet në fazë mirëmbajtjeje. Dy teknikët e arrestuar ishin thjesht mirëmbajtës, ndërsa vetë subjekti pretendon se ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore në përputhje me kuadrin hidrokarburor në fuqi

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo