Brukseli reagon për pasivizimin e adresave: Komisionerja Marta Kos i përgjigjet Shaip Kamberit

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se ka marrë një përgjigje zyrtare nga Komisionerja për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, lidhur me trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Në letrën që i është dërguar Kamberit, Komisionerja Kos ka theksuar se BE po ndjek nga afër situatën e pakicave kombëtare në Serbi, përfshirë komunitetin shqiptar, në kuadër të Kapitullit 23 të negociatave për anëtarësim, që ka të bëjë me gjyqësorin dhe të drejtat themelore.

“Dëshiroj t’ju siguroj se Komisioni po ndjek nga afër trajtimin e personave që i përkasin pakicave kombëtare, përfshirë situatën e komunitetit shqiptar në Serbi,” thuhet në letrën e Komisioneres.

Marta Kos thekson gjithashtu se Serbia është e detyruar të zbatojë kuadrin ligjor për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane.

Një nga pikat që BE ka ngritur me autoritetet serbe është edhe çështja e ‘pasivizimit’ të adresave, që ka prekur mijëra shqiptarë të Luginës. Komisionerja Kos shprehet se kjo praktikë është përmendur në raportin më të fundit të Komisionit për Serbinë, duke kërkuar më shumë transparencë dhe shpjegime nga autoritetet serbe, sidomos nëse jugu i Serbisë është shënjestruar në mënyrë të veçantë.

“Kemi theksuar në raportin tonë për Paketën e Zgjerimit për Serbinë nevojën që autoritetet të shpjegojnë më mirë për publikun se si po kryhen verifikimet e statusit të qëndrimit, që po rezulton në pasivizimin e disa adresave,” shkruan Kos.

Deputeti Kamberi u shpreh se kjo është një dëshmi e rritjes së vëmendjes ndërkombëtare ndaj diskriminimit që përballen shqiptarët në Luginë, dhe një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të problemit të pasivizimit të adresave. (INA)