Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nxjerrë Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj dy personave, për të cilët ekziston dyshim i bazuar se në grup kanë kryer veprën penale – Dhunë, e parashikuar në nenin 386 paragrafi 6, në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal.
Të dyshuarit, të moshës 39 dhe 31 vjeç, më 24 korrik në fshatin Oreshan të Shkupit, kanë ushtruar dhunë të ashpër dhe kanë rrezikuar sigurinë e një personi, për të cilin dyshonin se kishte vjedhur shalqinj nga ara e të dyshuarit të parë.
Me një automjet mallrash e kishin ndjekur viktimën ndërsa ai po udhëtonte me veturë nga Petrovec drejt fshatit Taor, derisa ishte parkuar në oborrin e shtëpisë së nipit të tij në Oreshan.
Të dyshuarit kishin arritur menjëherë pas tij, kishin dalë nga vetura dhe e kishin sulmuar. E kishin nxjerrë me forcë nga vetura dhe e kishin goditur me grushte dhe shuplaka në kokë dhe trup. I dyshuari i dytë kishte marrë edhe një pincerë (kleshë ujësjellësi) nga kamioni dhe kishte vazhduar ta godiste me to, derisa viktima kishte humbur vetëdijen. Atij i janë shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe është hospitalizuar në Klinikën e Neurokirurgjisë në gjendje kërcënuese për jetën.
Me aktin e dhunës është shkaktuar ndjenjë pasigurie, rreziku dhe frike te dëshmitari – nipi i viktimës, si dhe në opinionin publik.
Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat dhe rreziqet, prokurori publik ka dorëzuar propozim te gjykatësi i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale Shkup për caktimin e masës së paraburgimit për të dy të dyshuarit.