Miratohen ndryshimet në Kuvend, Mickoski: Për 18 muaj, pensionet më të larta për 7,000 denarë

Ndryshimet ligjore kaluan në Kuvend, me çka rreth 345.000 pensionistë në vend do të marrin një rritje lineare prej gjithsej 2.000 denarësh. 1.000-shin e parw do ta marrin në shtator tw dytën mw mars. Por kjo çështje shkaktoi përplasje mes pushtetit dhe opozitës. U hodhën akuza se kush po vjedh nga pensionistët dhe kush u ka dhënë më shumë gjatë kohës në pushtet.

Sipas kryeministrit Mickoski, për 18 muaj pensionet janë rritur katër herë më shumë sesa për 7 vite sa i kishte rritur qeveria e LSDM-së.

“Me këto 2.000 denarë të reja, nëse shtohen te ato 5.000 të mëparshme, atëherë në 18 muaj kemi një rritje lineare të pensioneve prej 7.000 denarësh. Nëse krahasohet kjo rritje me të kaluarën, atëherë del që pensionet janë rritur shumëfish për pensionistët”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.

LSDM e ka quajtur këtë vendim një mashtrim historik dhe një grabitje e planifikuar, duke thënë se janë dëmtuar 318.000 pensionistë.

“Më shumë se 318.000 persona janë dëmtuar dhe do të marrin pensione më të ulëta nga ato që realisht u takojnë dhe i kanë merituar. Disa do të marrin 2.000 denarë më pak, disa deri në 4.000 më pak. Ja sa po i vjedh qeveria pensionistëve në shtator dhe mars”, pohoi Jovana Trençevska – LSDM.

Trençevska theksoi se nga shkurti i vitit 2022 deri në maj të vitit 2024, falë metodologjisë së vendosur nga qeveria e LSDM-së, pensionet janë rritur me 29.7%.

Shoqatat e pensionistëve janë të ndara në qëndrime – disa përkrahin rritje lineare, të tjerët preferojnë përqindje sipas metodologjisë. Rritja e parë do të paguhet me pensionin e shtatorit, ndërsa e dyta me pensionin e marsit.