“O plehrë”, sherr për shkak të çadrave mes biznesmenëve në Ksamil – vihen në pranga tre persona

Tre persona kanë rënë në pranga pas sherrit të një dite më parë në Ksamil.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se i lënduari është Albert Pashaj, pronar i “Euro Hotel Ksamil”, i cili është sulmuar me sende të forta brenda ambienteve të hotelit të tij. Si autor i dyshuar i dhunës identifikohet Agim Taraj, pronar i “Sunset Restorant Ksamil”.

Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka ardhur si pasojë e një konflikti për menaxhimin dhe vendosjen e çadrave në hapësirën përballë hotelit, pjesë e vijës bregdetare që shpeshherë është bërë burim mosmarrëveshjesh mes subjekteve private në zonat turistike të jugut.

Në pamjet e siguruara nga Top Channel, shihet momenti i përplasjes së dy biznesmenëve, ku dëgjohet: “Do ta shikosh o plehrë, o plehrë”.

Në pranga për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim ranë Agim Taraj, 43 vjeç, banues në Berat, S. S., 18 vjeç, banues në Dibër dhe A. Z., 35 vjeç, banues në Durrës.

Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës, një shtetas i mitur, 17 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë dhe bashkëshortja e 46-vjeçarit të dëmtuar, pasi shkaktoi dëme materiale në “beach bar”-in e njërit prej të arrestuarve.