Parlamenti Evropian nis procedurat për një rezolutë për Serbinë, në qendër të vëmendjes përdorimi i vazhdueshëm i forcës ndaj protestuesve
Parlamenti Evropian ka nisur procedurën për miratimin e një rezolute të re për Serbinë me titullin “Valët e dhunës dhe përdorimi i vazhdueshëm i forcës ndaj protestuesve në Serbi”, me iniciativë të disa grupeve politike brenda këtij institucioni.
Sipas faqes zyrtare të PE për procedurat legjislative, kjo çështje do të diskutohet në seancën e parë të vjeshtës së Parlamentit Evropian, e cila është caktuar për datën 8 shtator. Rezoluta është kategorizuar si RSP (Rezolutë për Çështje Aktualisht të Rëndësishme), që nënkupton trajtimin e çështjeve politike, demokratike apo të sigurisë që kërkojnë reagim urgjent të Parlamentit.
Në këtë rast, fokusi është tek zhvillimet që ndodhën gjatë dhe pas protestave disa mujore në Serbi, me theks të veçantë në raportimet për përdorim të tepruar të forcës nga ana e autoriteteve ndaj protestuesve – përfshirë studentët dhe të miturit.
Parlamenti Evropian pritet të miratojë një vlerësim politik të situatës, me mundësinë që në tekst të përfshihen thirrje për veprim konkret apo rekomandime për institucionet evropiane dhe vendet anëtare.
Protestat në Serbi kanë tërhequr vëmendjen e opinionit vendas dhe atij ndërkombëtar, duke ngritur shqetësime serioze për gjendjen e demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut në vend.
Që nga fillimi i protestave, Parlamenti Evropian ka trajtuar tri herë situatën në Serbi. Në dhjetor 2024, u zhvillua një debat plenar mbi krizën politike në vend, me fokus te protestat studentore dhe reagimi i autoriteteve pas tragjedisë në Novi Sad, por pa miratimin e ndonjë rezolute të veçantë.
Në shkurt të vitit 2025, Parlamenti miratoi një rezolutë që dënonte parregullsitë në zgjedhjet e dhjetorit 2024, ku u theksuan manipulimi i listave zgjedhore, votuesit fantazmë, presioni ndaj opozitës dhe mungesa e kushteve të barabarta në media. Rezoluta kërkonte një hetim të pavarur ndërkombëtar dhe paralajmëronte sanksione të mundshme në rast të shkeljeve të mëtejshme.
Në maj 2025, PE miratoi një tjetër rezolutë, këtë herë në përgjigje të raportit vjetor të Komisionit Evropian për Serbinë, ku u theksua përparimi i kufizuar në procesin e integrimit evropian. Problemet kryesore të përmendura ishin sundimi i ligjit, liria e medias dhe pavarësia e institucioneve.
Ndonëse teksti përfundimtar i rezolutës së re ende nuk është publikuar, ajo pritet të jetë një nga reagimet më të forta politike të PE ndaj zhvillimeve të fundit në Serbi.