Taksisti e sulmon klientin në Mitrovicë – e rreh pas sherrit për pagesë, i thyen brinjët

Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të qytetarëve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyrja e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu, Sinjali mëson se një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës së 11 korrikut në lagjen “Kodra e Minatorëve” në Mitrovicën e Veriut, ku një qytetar ka pësuar lëndime serioze pas një konflikti fizik me një person tjetër.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se viktima është N.C, 50 vjeçar, i cili kishte kërkuar ndihmë mjekësore pas një rrahjeje që kishte ndodhur rreth orës 01:45 të mëngjesit. Ai ka deklaruar se ishte sulmuar nga një person pas një mosmarrëveshjeje që kishte lindur për shkak të pagesës së udhëtimit me taksi.

Sipas informacioneve, patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar me viktimën dhe një dëshmitar tjetër. Të dy kishin qenë nën ndikimin e alkoolit në momentin e incidentit, viktima me 0.85 mg/L dhe dëshmitari me 0.95 mg/L.

Viktima fillimisht është dërguar në emergjencë për trajtim mjekësor, ndërsa më pas, pasi i është kthjelluar gjendja, ka dhënë deklaratën në polici dhe ka kërkuar edhe një herë ndihmë mjekësore. Ekzaminimi ka zbuluar se ai kishte frakturë në brinjë, për çka është trajtuar dhe më pas liruar për në shtëpi.

Nga hetimet e para është identifikuar i dyshuari si V.P, rreth 21-vjeçar, i cili ishte shofer i taksisë që e kishte dërguar viktimën në shtëpi. Konflikti mes tyre kishte eskaluar në dhunë fizike pas një debati për pagesën e udhëtimit.

Prokurori i Shtetit është njoftuar lidhur me rastin dhe ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë, ndërkohë që rasti është cilësuar si “Lëndim i rëndë trupor”.

Hetimet po i vazhdon Njësia për Hetime në Mitrovicë.